Corey Allen, basketbollisti i sapo ardhur tek Vllaznia ka rrëfyer se cilat janë objektivat e tij dhe pse ka zgjedhur të vijë në Shkodër.
Amerikani që sapo ka nisur të stërvitet me ekipin kuqeblu thotë se kjo është hera e parë e tij në Shkodër dhe se Shqipërinë nuk e ka njohur shumë. Megjithatë edhe pse vetëm pak ditë që ndodhet në Shkodër ka arritur të mësojë se Vllaznia është një skuadër kampione në fuqi dhe që pretendon sërish fitimin e titullit kampion. Allen thotë se do përpiqet që të japë më të mirën e tij për ekipin shkodran dhe se dëshiron që të jetë triumfues. (Unë erdha në Shqipëri sepse pata një ofertë të mirë tek Vllaznia. Mua më ka pëlqyer shumë basketbolli ashtu si pjesës më të madhe të amerikanëve dhe e kam praktikuar këtë sport që në një moshë shumë të vogël. Jam rritur në ekipe të ndryshme derisa kam ardhur në këtë pikë. Menaxherët e mi e kanë parë të arsyeshme që të jem pjesë e Vllaznisë këtu në Shkodër. Kjo është hera e parë që unë vij në Shqipëri dhe më parë nuk ka patur ndonjë informacion për vendin tuaj. Megjithatë kam mësuar se Vllaznia është skuadër kampione dhe kërkon sërish të shpallet kampion. Po shoh se Shkodra është një qytet mikëpritës sepse më kanë dhënë menjëherë ngrohtësi. Unë ju premtoj se do të bëj më të mirën time këtu në Shkodër. Nuk e di se sa gjatë mund të qëndroj tek Vllaznia por objektivat e mia të momentit janë këtu, nëse ndodh diçka në të ardhmen le të ndodh por fillimisht dua të jap maksimumin për Vllazninë dhe të mos mendoj për asgjë tjetër. Një përshendetje për tifozët e shumtë shkodran që më kanë mbështetur edhe pse ende nuk kam nisur të luaj). Allen vjen si përforcim tek Vllaznia, ekip i cili kërkon sërish titullin kampion. Në vijim përpara se kampionati të rikthehet, mundet që në skuadrën shkodrane të vijnë edhe basketbollistë të tjerë në mënyrë që skuadra të ketë një përbërje sa më të plotë.