Ndeshja Vllaznia-Peja në basketboll për meshkuj, e dyta brenda pak ditëve ka dështuar. Shkak është bërë shpërthimi i ujrave të zeza në mjediset e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Duke parë erën e rëndë dhe ujrat e zeza në sipërfaqe basketbollistët bashkë me drejtuesit e të dy ekipeve Vllaznisë dhe Pejës janë larguar duke mos pranuar që ta zhvillojnë ndeshjen në ato kushte. Natyrisht që shpërthimi i ujrave të zeza dhe anullimi i takimit lë një shije të hidhur në sytë e kosovarëve të Pejës, një skuadër që luan në ligën ballkanike dhe ka në përbërje basketbollist profesionist. Shkak i shpërthimit të ujrave të zeza janë bërë reshjet e dendura të shiut gjatë ditës së sotme.

Firma që po kryen punimet në stadiumin “Loro Boriçi” ka bërë ndërprerjen e derdhjes së ujrave të zeza për pallatin e sportit dhe për shkak të mungesës së këtij kanalizimi, sipërfaqja në koridorin dhe banjot e pallatit të sportit është mbushur. Në fakt kjo situatë përsëritet për të dytën herë brenda pak kohëve. Arsyeja është e njëjtë dhe në një farë mënyrë fajtore është firma që po kryen punimet e stadiumit e cila nuk ka realizuar kanalizimin ashtu siç duhet për derdhjen e ujrave të zeza. Si distancë nuk është shumë bëhet fjalë për rreth 30-40 metër ku duhet që të ndërhyhet. Ajo që mungon është thjeshtë vullneti i firmës që po bën rikonstruksionin e stadiumit e cila e ka një detyrim veç të tjerave edhe kanalizimin. Në këtë mënyrë Vllaznia në basketboll për meshkuj privohet për të mos luajtur ndeshjen e dytë miqësore vetëm si shkak i këtij problem. Në rast se kjo lidhje nuk realizohet, atëherë çdo ditë kur të ketë reshje shiu do të dalin në sipërfaqe ujrat e zeza ndaj duhet ndërhyrë sa më parë sepse kampionatet e lojrave me dorë janë në prag të nisjes dhe skuadrat e Vllaznisë mund të penalizohen rëndë për këtë problem.

Artikulli paraprakNDUE MUJECI LIDER I VENTSPILS, 3 GOLA NË NJË NDESHJE
Artikulli tjetërMALËSIA E MADHE, MIKPRET MINISTRA DHE AMBASADORË TË VENDIT