Vllaznia në basketboll për meshkuj e ka nisur me një humbje kampionatin e ri. Shkodranët ndeshjen e parë e luajtën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” përballë Apolonisë së Fierit e sapo ngjitur në superiore pas shumë vitesh mungesë. Edhe pse përballë një skuadre pa eksperiencë shkodranët u mundën 71-81 nga ekipi fierak. Trajneri i Vllaznisë Damian Bekteshi thotë se Vllaznia e ka mungesa të theksuara lojtarësh duke u detyruar të aktivizojë 15 vjeçar nga ekipi i të rinjve.
Trajneri Bekteshi shprehet se Vllaznia ka mbetur pa basketbollistët e duhur për shkak të prurjeve të shumta vitet e fundit me lojtarë amerikan.
Vllaznia rrezikon më shumë se kurrë rënien nga Kategoria Superiore e basketbollit por trajneri Bekteshi shpreson që rrugës të dalë dikush që do e ndihmojë financiarisht.
Trajneri i Apolonisë Aldi Germau që e nisi ngjitjen në Superiore me fitoren ndaj Vllaznisë shpreson që skuadra e tij të arrijë të qëndrojë mes ekipeve më të mira.
Sezonin e kaluar Vllaznia ishte në finale duke luftuar për titullin kampion ndërsa këtë fillim kampionati për momentin objektiv të vetëm ka mbijetesën edhe pse me përbërjen aktuale të lojtarëve është shumë e vështirë.