Vllaznia në basketboll për djem ka bërë autokritikën dhe ka arritur një fitore të rëndësishme ndaj Tiranës në ndeshjen e luajtur në transfertë.

Brenda në kryeqytet kuqeblutë duket se i dhanë fund krizës së rezultateve duke arritur që të fitojnë në shifrat 50-62. Vetëm një period fiton Tiranaë ndërsa tre të tjerat i takojnë Vllaznisë. 12-14 mbaron e para në favor të shkodranëve. Tirana e kthen në periodën e dytë duke fituar 16-12 dhe duke kryesuar 28-26 gjysmën e parë të lojës. Vetëm kaq mund të bëjnë kryeqytetasit sepse kuqeblutë dalin në lojën e tyre duke fituar 19-10 periodën e tretë. Me 7 pikë disavantazh në 10 minutëshin e fundit bardheblutë e kanë të vështirë përballë një Vllazia tejet të vendosur. Skuadra e drejtuar nga Bledar Gjeçaj fiton 12-17 periodën e fundit duke e mbyllur me 12 pikë diferencë në shifrat 62-50 krejt takimin. Kjo fitore përveç renditjes shërben më shumë për të rikthyer besimin dhe për të përmirësuar anën psikologjike tek basketbollistët e Vllaznisë të cilët pasi humbën shansin për të fituar Kupën e Shqipërisë tashmë janë rikthyer fuqishëm për të mos bërë të njëjtin gabim në kampionat. Gjonaj është më i miri për Vllazninë i cili realizon 15 pikë. Ish-basketbollisti i Tiranës pas ndeshjes është sulmuar nga tifozët “Fanatics” duke qenë se pas shumë vitesh me bardheblutë tashmë është pjesë e Vllaznisë. Gjonaj e ka quajtur të turpshme këtë veprim të tifozëve t ëish-skuadrës së tij dhe se nuk e ka kuptuar duke qenë se ka një miqësi me të gjithë basketbollistët e Tiranës e po ashtu edhe stafin e atij ekipi. Gjithsesi ndaj Gjonaj ka patur vetëm fyerje dhe nuk ka arritur që t’i afrohen edhe pse kanë tentuar. Në radhët e Tiranës Vogli ka realizuar 16 pikë ndërsa Sukaj 15 pikë. Për Vllazninë janë aktivizuar Rrashketa, Bërdica, Arra, Faslija, Gjonaj, Alen, Taraboshi, Xhokoviç dhe Huti. Shkodranët pas fitores ndaj Tiranës tashmë do të tentojnë të tjera rezultate pozitive në fazën e tretë.

Artikulli paraprakFSHATI LOHE, NJË ZONË QË ËSHTË BRAKTISUR NGA TË GJITHË 50
Artikulli tjetërFUTBOLL VAJZA, VLLAZNIA PRAKTIKISHT SIGURON TROFEUN