Starti jo i mirë i kampionatit që u shoqërua me pesë humbje dhe vetëm një fitore në gjashtë ndeshjet e para, ka bërë që situata tek ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj të mos jetë ajo e duhura. Si rrjedhojë e kësaj situate, së fundmi ka ardhur edhe dorëheqja e trajnerit Damian Bekteshi. Një gjë e tillë është zyrtarizuar nga Shoqata e Basketbollit Vllaznia, në njoftimin e saj në rrjetet sociale.

“Pas ndeshjes së fundit ndaj Teutës, trajneri Damian Bekteshi ka vendosur të tërhiqet nga posti i trajnerit të skuadrës sonë. Ky ka qenë një vendim i marrë nga ana e tij me qëllimin më të mirë për ekipin dhe ne e rrespektojmë maksimalisht. Trajneri Bekteshi ka qenë një figurë kyçe për Vllazninë gjatë këtyre tre viteve, teksa nën drejtimin e tij ekipi ynë arriti deri në finalet e kampionatit në sezonin e parë. Vjet, ai e udhëhoqi skuadrën nga objektivat për mbijetesë deri në gjysmëfinale, ku zhvilluam një betejë të ashpër me Teutën.

Falënderojmë Damian Bekteshin për përkushtimin, punën e palodhur dhe pasionin që ka treguar për skuadrën tonë. Ai mbetet gjithmonë pjesë e familjes së madhe të Vllaznisë dhe i urojmë suksese në hapat e tij të ardhshëm”,-shkruan klubi i basketbollit Vllaznia në njoftimin e shpërndarë.

Ndërkohë, pas vendimit të dorëheqjes së trajnerit Damian Bekteshi, drejtuesit e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia kanë nisur lëvizjet për emërimin e trajnerit të ri. Kështu, nga sa mësohet ai që do të marrë drejtimin e Vllaznisë në basketboll për meshkuj është Eni Llazani, një emër shumë i njohur si ish-basketbollist i kuqebluve dhe i skuadrave të tjera. Ai ka drejtuar për disa vite ekipin e Kamza Basket, duke treguar ndeshje cilësore në periudhën që ai ka qenë trajner tek kjo skuadër. Zyrtarizimi i trajnerit të ri të Vllaznisë që pritet të jetë Eni Llazani, do të bëhet në seancën e rradhës stërvitore, kur ai do të nisë punën me ekipin kuqeblu.

Artikulli paraprak‘MARTINI ISHTE I MBUSHUR ME ËNDRRA E JETË. IA MORËN TË DYJA’ MESAZHI I MAMASË SË 14 VJEÇARIT NË PROTESTËN PARA MINISTRISË SË ARSIMIT
Artikulli tjetërNOT, DY SHKODRANËT MEDALJE