Pas ekipit të meshkujve, edhe ai i basketbollit të femrave të Vllaznisë është përforcuar me një basketbolliste të huaj. Në fakt, bëhet fjalë për një amerikane dhe pikërisht për lojtaren Taylor Dunn. Kjo e fundit është një basketbolliste që luan në pozicionet 2 dhe 3, teksa është 25-vjeçe dhe e gjatë 1.70. Dunn ka luajtur në Amerikë dhe kjo do të jetë përvoja e saj e parë jashtë këtij shteti. Nga sa mësohet, Dunn spikat për mbrojtjen shumë efikase, si edhe preçizionin që e shoqëron në gjuajtje, e cila është edhe arma më e fortë e saj. Tashmë, trajneri Bledar Gjeçaj është shumë i kënaqur që më në fund u bë realitet ardhja e një basketbollisteje të huaj që do ta forcojë jo pak ekipin e tij.

Ndërkohë, drejtuesit e ekipit shkodran e kanë federuar basketbollisten në fjalë, ç’ka do të thotë se të shtunën në ndeshjen e parë të kampionatit, atë ndaj Teutës, Dunn pritet të jetë në fushën e lojës. Në fakt, rasti në fjalë është për t’u theksuar, pasi është i pari në historinë e basketbollit të femrave që një amerikane bëhet pjesë e Vllaznisë. Vajzat kuqeblu, edhe pa përforcime kanë arritur të jenë në katërshen e parë, por tashmë duket se me ardhjen e kësaj basketbollisteje, do të tentojnë edhe diçka më shumë, por kjo gjithsesi mbetet për t’u parë rrugës.

Artikulli paraprakHAPET PAS PUSHIMEVE QENDRA KULTURORE “KUJTIM ALIJA”
Artikulli tjetërCIRKU “MAGIC SHOW” TË ENJTEN NË PALLATIN E SPORTIT