Vllaznia në basketboll për femra ka marrë një fitore me shumë vlerë mbrëmjen e së mërkurës në ndeshjen e prapambetur ndaj Teutës, rivales së saj për vendin e katërt. Në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, vajzat kuqeblu kanë fituar me rezultatin 60-48. Ato e kanë filluar mirë ndeshjen dhe në periodën e parë kanë udhëhequr 18-13. Në të dytën e thellojnë epërsinë deri në 10-pikë diferencë, por në fund vijnë disa gabime dhe dy ekipet shkojnë në pushimin e ndeshjes me rezultatin 32-30, në favor të Vllaznisë.
Perioda e tretë nuk nis mirë për ekipin shkodran dhe është Teuta që përmbys shifrat, duke udhëhequr rezultatin për disa minuta, por jo më shumë. Vendaset e mbyllin këtë 10-minutësh me rezultatin 46-40. Ndërkohë, në të katërtën, gjithçka flet për Vllazninë dhe gradualisht vijnë duke e rritur epërsinë dhe në fund, gjithçka të mbyllej me rezultatin 60-48 në favor të Vllaznisë. Pas ndeshjes, trajneri i ekipit kuqeblu, Bledar Gjeçaj, u shfaq i kënaqur me këtë fitore.
Kështu, Vllaznia merr një fitore me shumë vlerë, duke përforcuar pozitat e saj në vendin e katërt të renditjes.