Vllaznia e basketbollit të femrave është rikthyer tek fitorja në kampionat. Ajo arriti një fitore të lehtë ndaj Barletit, me rezultatin e thellë 110-49, në sfidën e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Takimi u kontrollua nga vajzat shkodrane që e nisën me vrull që në periodën e parë, duke e mbyllur atë me shifrat 33-10. Ato vazhduan ta thellojnë diferencën edhe në periodën e dytë që u mbyll me rezultatin 28-12. Në këtë mënyrë, dy ekipet shkuan në pushim me një diferencë prej 39-pikësh në favor të Vllaznisë. Ndërkohë, në dy periodat e fundit, trajneri Bledar Gjeçaj u dha mundësinë për të luajtur edhe të gjitha basketbollisteve të stolit. Megjithatë, kjo nuk e uli diferencën. Perioda e tretë u mbyll 28-15 po për Vllazninë. Ndërkohë që, në të katërtën u fiksuan shifrat 21-12. Në këtë mënyrë, e gjithë ndeshja u mbyll me një fitore të lehtë të vajzave kuqeblu me 61-pikë diferencë, pra me rezultatin e përgjithshëm 110-49.
Pas javës së 17-të të kampionatit, Vllaznia është ngjitur në kuotën e 27-pikëve, duke qenë e sigurtë në vendin e katërt dhe brenda objektivit të saj.