Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka pësuar humbjen e tretë rradhazi, duke patur një start aspak të mirë në këtë fillim kampionati. Kuqeblutë u mposhtën nga kampionët në fuqi të vendit, Besëlidhja, me rezultatin 84-95. Basketbollistët e drejtuar nga trajneri shkodran Afrim Bilali bënë më mirë në këtë ndeshje, duke kontrolluar gjithçka në fushë dhe duke bërë që i gjithë takimi të mbyllej në shifrat 95-84 për Besëlidhjen. Këtë ndeshje e ndoqi nga afër edhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili vijon ta mbështesë ekipin e Besëlidhjes në basketboll prej disa kohësh tashmë.
Pas humbjes, trajneri i Vllaznisë, Damian Bekteshi tha se ekipi i tij ka rritje në lojë dhe se fitorja e parë do vijë shpejt.
Ndërkohë, trajneri shkodran i Besëlidhjes, Afrim Bilali tha se Vllaznia ishte e fortë, por ekipi i tij e meritoi fitoren.
Në këtë mënyrë, Vllaznia pëson humbjen e tretë rradhazi, ndërsa nga ana tjetër Besëlidhja koleksionon fitoren e tretë.