Skuadra e Kamza Basket në basketboll për meshkuj ka humbur ndeshjen e javës së parafundit me Teutën në shifrat 70-81. Kjo humbje e Kamzës bën që skuadra e Vllaznisë të ketë ende shpresë për mbijetesën në këtë sezon. Kamza dhe Vllaznia janë dy skuadra rivale sa i përket mbijetesës dhe skuadra e cila do të shpëtojë në këtë sezon do të vendoset në javën e fundit.
Vllaznia do të luaj në transfertë ndeshjen e saj me Partizanin ndërsa Kamza do të ketë një tjetër përballje të vështirë ndaj ekipit të mirëpërgatitur të Goga Basket. Vllaznisë i duhet me patjetër fitorja për të shpresuar tek mbijetesa por nga ana tjetër duhet që edhe Kamza të humb ndaj Goga Basket për të siguruar mbijetesën.
Në rast të një fitore të kryeqytetasve atëherë skuadra që bie në Kategorinë e Parë është Vllaznia. Në këtë mënyrë fati i këtyre do ekipeve do të përcaktohet në këtë javë të fundit. Vllaznia nga ana e saj do të japë maksimumin ndaj Partizanit.
Edhe pse luajnë në transfertë shkodranët do të kërkojnë një fitore ndaj të kuqve për të shpresuar kështu deri në sekondën e fundit. Nga ana tjetër Goga Basket patjetër që është favorit kryesor për ta fituar ndeshjen ndaj Kamzës por ajo që mbetet shqetësuese është një tolerim i mundshëm që mund të ndodh në këtë përballje për të toleruar Kamzën.
Ky mbetet thjeshtë një hamendësim por në rast se është një skenar që zbatohet atëherë mund të quhet një skandal në kampionatin e basketbollit. Pas ndeshjes së parafundit që Vllaznia e fitoi me Tiranën, drejtuesit e skuadrës kërkuan që deri në fund të zhvillohet një kampionat i pastër dhe të mos ketë tolerime në favor të Kamzës për të dëmtuar Vllazninë.
Nga ana tjetër trajneri Neven Plantak u shpreh se tashmë gjërat nuk janë edhe aq shumë në dorën e Vllaznisë sa i përket mbijetesës. Megjithatë shkodranët do të provojnë deri në fund shansin e tyre duke qenë se e ka ende si mundësi për t’ia dalë mbanë.