Vllaznia e basketbollit të meshkujve nuk ia ka dalë dot të fitojë ndaj Besëlidhjes, në ndeshjen e rradhës për kampionat. Në duelin e luajtur pasditën e së dielës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, lezhjanët fituan me rezultatin 86-71. Ata e kanë nisur që në periodën e parë në avantazh, kur e mbyllën në shifrat 22-19 dhe e thelluan edhe më shumë në të dytën, të cilën poashtu e fituan 23-13.

Në këtë mënyrë, Besëlidhja shkoi në pushimin e ndeshjes me avantazhin 45-32. Kaq ka mjaftuar që ajo ta administronte si duhet këtë epërsi edhe në pjesën e dytë të ndeshjes. 10-minutëshi i tretë do të mbyllej sërish në favor të Besëlidhjes, ndërsa i katërti do të fitohej nga Vllaznia, por që në fakt nuk i vlejti për asgjë, sepse i gjithë takimi u mbyll me rezultatin e përgjithshëm 86-71 në favor të Besëlidhjes.

Lezhjanët, me këtë fitore, e kanë çuar në 16-numrin e ndeshjeve të fituara në po aq të luajtura dhe kryesojnë me meritë renditjen e kampionatit, ndërsa Vllaznia me 27-pikë është e pozicionuar në vendin e katërt të renditjes.

Artikulli paraprakNOT, TRE VENDE TË PARA PËR VLLAZNINË
Artikulli tjetërVLLAZNIA NË FUTSALL MPOSHT PARTIZANIN