Kur u duk se gjërat po rregulloheshin gradualisht tek ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj, krejt papritur nga rradhët e tij është larguar një nga basketbollistët më të rëndësishëm të skuadrës kuqeblu. Kështu, bëhet fjalë për shkodranin Elian Memçaj. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Shoqata e Basketbollit e Vllaznisë përmes faqes zyrtare ku shkruan: “Me kërkesë të lojtarit, klubi ynë ka shkëputur marrëveshjen e bashkëpunimit me lojtarin Elian Memçaj. Klubi ynë e falënderon lojtarin për kontributin e dhënë, si dhe i uron suksese në të ardhmen”,-shkruhet në faqen zyrtare të Shoqatës së Basketbollit të Vllaznisë.

Në fakt, ende nuk është e qartë se si ka ardhur ky largim, por me shumë mundësi Memçaj do të vijojë karrierën në ndonjë ekip tjetër në kampionatin shqiptar. Me largimin e tij, te Vllaznia do të krijohet një gropë e madhe, nisur edhe nga fakti që kontigjenti i basketbollistëve është i limituar. Megjithatë, pas këtij largimi të Memçajt, pritet që drejtuesit e Shoqatës së Basketbollit të Vllaznisë ta zëvendësojnë menjëherë atë, teksa në ditët në vijim me ekipin kuqeblu pritet të bashkohet një tjetër basketbollist amerikan.

Sidoqoftë, Memçaj në ndeshjet e deritanishme të këtij sezoni të Vllaznisë, ka qenë pikëshënuesi më i mirë i saj. Ai ka shënuar plot 86-pikë dhe trajneri Bekteshi tashmë duhet t’i bëjë llogaritë pa të. Një problem më shumë për skuadrën shkodrane, e cila sivjet kishte objektiv renditjen në mes 6-skuadrave të para që shkojnë në play-off.

Artikulli paraprakORGANIZOHET FESTA E SHEGËS NË LEZHË
Artikulli tjetërSHKODËR, I DËNUAR PËR DROGË DHE ARMËMBAJTJE PA LEJE, ARRESTOHET 37-VJEÇARI