Pas 3 vitesh si kampione e Shqipërisë Vllaznia në basketboll për meshkuj është ulur nga froni.
Kuqeblutë i dhanë lamtumirën titullit kampion sepse humbën ndeshjen e tretë finale ndaj Tiranës, sfidë e luajtur në transfertë. Bardheblutë fituan 87-80 ndaj Vllaznisë duke çuar në 3-0 rezultatin në finalet e këtij sezoni pa patur nevojë për dy duelet e tjera. Tirana e nis më mirë lojën në fushën e saj teksa arrin të fitojë periodën e parë në shifrat 26-15.
Në 10 minutëshin e dytë Vllaznia tenton që të përmbysë rezultatin dhe arrin ta fitojë 22-13 duke bërë që gjysma e parë e lojës të mbyllet 39-37 për Tiranën. Vendasit nuk lejojnë më gabime në lojën e tyre sepse fitojnë periodën e tretë 26-21 duke shkuar me 7 pikë avantazh në 10-minutëshin e fundit. Vllaznia tenton përmbysjen por përballë Tiranës është tejet e vështirë.
Perioda e katërt përfundon në barazim 22-22 dhe krejt ndeshja 87-80. Me këtë fitore bardheblutë rikthehen tek trofeu pas 6 vitesh ndërsa Vllaznia humb këtë trofe pasi e solli për tre vite me radhë në Shkodër. Këtë sezon kuqeblutë edhe pse tentuan duke sjellë 4 lojtarë amerikan bashkë me Gjonaj dhe Hamatin nuk arritën që të sigurojnë titullin kampion.
Nga ana tjetër Tirana arriti të fitojë tre trofe këtë sezon duke dominuar totalisht në basketbollin shqiptar. Pas kësaj disfate Vllaznia do të përpiqet për t’u rikthyer si kampione e Shqipërisë sezonin e ardhshëm por deri atëherë patjetër që ka shumë punë për të bërë në ndërtimin e një ekipi triumfator.