Vllaznia e meshkujve në basketboll për të rinj ka arritur një fitore në ndeshjen e parë të kampionatit që sapo ka nisur.
Në këtë përballje të parë të zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, kuqeblutë fituan ndaj një rivali direkt për trofeun siç është Superior Klima me rezultatin 78-69. Kjo javë e parë që vendosi përballë dy skuadra pretendente pati rivalitet në periodën e parë dhe të dytë.
Në 10-minutëshin e tretë të lojës basketbollisti Elian Memçaj që stërvitet me ekipin e parë bashkë me pjesën tjetër të skuadrës zhvilluan një lojë të mirë duke krijuar një avantazh ndaj kundërshtarëve dhe më pas administruan lojën duke arritur kështu fitoren e parë në kampionat ndaj një rivali direkt për trofeun.
Trajneri i 18 vjeçarëve të Vllaznisë Fatjon Halluni tha se skuadra e tij tregoi grintën e duhur që në këtë ndeshje të parë ndërsa u shpreh se ekipi i tij pretendon fitimin e trofeut këtë sezon.
18 vjeçarët e Vllaznisë së basketbollit kanë në përbërje element të cilët mund të jenë të vlefshëm për të ardhmen.
Përveç titullit kampion ajo që mbetet më e rëndësishme është dërgimi i basketbollistëve nga 18 vjeçarët tek skuadra e parë duke qenë se Vllaznia është mbështetur gjithnjë tek të rinjtë shkodran për të eleminuar pse jo ardhjet masive të lojtarëve të huaj.