Skuadra e Vllaznisë në basketboll për të rinj ka humbur në një ndeshje të rëndësishme.

Të rinjtë shkodranë kanë luajtur përballë ekipit kryesuese Superior Klima. Ndeshja mes këtyre dy skuadrave është zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Në fakt ka qenë një lojë jo e mirë e ekipit kuqeblu që ka humbur përballë skuadrës kryeqytetase. 18-vjeçarët e Vllaznisë në këtë ndeshje kërkonin fitoren ndaj një kundërshtari direkt për kreun por nuk ia kanë arritur qëllimit. 10 me 13 mbyllet perioda e parë në favor të Superior Klima. Shkodranët që në fillim nuk e kanë epërsinë. Vllaznia humbet edhe periodën e dytë në shifrat 12-18. Në këtë mënyrë gjysma e parë e lojës mbyllet me rezultatin 22-31, me 9 pikë diferencë në favor të skuadrës mike. Kur pritej një reagim i Vllaznisë në periodën e dytë është sërish Superior Klima që luan më mirë dhe shkon e qetë drejt fitores. Perioda e tretë përfundon në shifrat 13 me 20. Edhe 10 minutëshi i fundit i përket skuadrës kryeqytetase që e fiton 19-13. Në këtë mënyrë krejt takimi mbyllet me rezultatin e përgjithshëm 48-70. Gjithsesi kjo humbje edhe pse ka ndikim nuk është përfundimtare sepse kampionati ka ende ndeshje për tu luajtur. Superior Klima ruan vendin e parë me 18 pikë pas fitores në Shkodër ndërsa Vllaznia renditet në vendin e dytë me 16 pikë pas 9 ndeshjeve të luajtura duke qenë sërish pretendente për fitimin e titullit kampion. 16 pikë, po aq sa Vllaznia ka edhe Real Basket ndërsa Apolonia është në vendin e katërt me 15 pikë dhe më pas vjen Partizani me 13 pikë për ta mbyllur klasifikimin me Kamza Basket, Elbasanin dhe Goga Basket. Ekipi kuqeblu i drejtuar nga trajneri Roland Koka do të vijojë që të kërkojë trofeun këtë sezon. Të rinjtë e Vllaznisë prej vitesh janë një prej skuadrave më të mira ndaj edhe këtë sezon synojnë titullin kampion.

Artikulli paraprakSHKODËR, NDALOHET NJË SHTETAS PËR TRAFIK TË LËNDËVE NARKOTIKE
Artikulli tjetërPROTESTA E PD-së NË TIRANË, KRYEMINISTRI REAGON NË ‘TWEETER’