Skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj e ka nisur me humbje kampionatin kombëtar.
Tirana ka fituar 82-65 ndeshjen e luajtur në kryeqytet përballë kuqebluve. Me shumë përforcime të bëra këtë sezon dhe një buxhet që është rritur konsiderueshëm kryeqytetasit jo vetëm se kanë dominuar ndaj Vllaznisë por edhe kanë dhënë sinjalin si pretendent serioz këtë sezon për të fituar titullin kampion. Tirana shfrytëzoi edhe mungesat e Vllaznisë ku nuk qenë të pranishëm Faslija dhe Arra. Tirana ka dominuar nga fillimi deri në fund ndaj shkodranëve duke qenë superiore thuajse në të gjitha periodat. Kështu bardheblutë tregojnë që në fillim epërsinë e tyre teksa arrijnë që të fitojnë 19-15 periodën e parë. Vllaznia e ka të vështirë të ndryshojë diçka në lojë ndërsa bardheblutë vijojnë me hapin e avantazhit duke e thelluar atë. 21-16 mbyllet perioda e dytë dhe 40-31 gjysma e parë e lojës. Me 9 pikë disavantazh skuadra e drejtuar nga Bledar Gjeçaj e ka të vështirë që të përmbysë shifrat. Perioda e tretë është më e ekuilibruara sepse përfundon në barazpeshë 19-19 duke lënë sërish Tiranën në avantazhin e 9 pikëve teksa duhej edhe 10-minutëshi i fundit për t’u luajtur. Kryeqytetasit nuk e kanë të vështirë dhe dominojnë edhe periodën e katërt, këtë herë 23-15 duke fituar krejt ndeshjen 82-65. Kjo humbje përveçse një sinjal i qartë i Tiranës për t’i rrëmbyer Vllaznisë titullin kampion pas 3 vitesh si mbajtësja e këtij trofeu, është edhe një këmbanë për ata që kanë veshë. Presidenti i Vllaznisë Sokol Dibra vazhdon që të jetë i tërhequr sepse ende bashkia Shkodër nuk ka gjetur rrugën e përbashkët me të. Dibra kërkon vetëm të ardhurat që vijnë nga biletat në ndeshjet që luhen në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” por një gjë e tillë nuk i është mundësuar duke bërë që të qëndrojë i tërhequr. Këtë sezon kuqeblutë rrezikojnë seriozisht që të mos jenë ata kampionë duke i hequr qytetit një prej gëzimeve më të mëdha të viteve të fundit.