Vllaznia në basketboll për meshkuj ka siguruar fitoren e dytë radhazi në këtë fillim kampionati. Shkodranët pas fitores në transfertë me pretendentët e Tiranës, mundën një tjetër ekip rival, këtë radhë Teutën e Durrësit. Kuqeblutë edhe pse zhvilluan një ndeshje me luhatje në disa momente arritën që ta fitojnë këtë sfidë në shifrat 85-82. Trajneri i Vllaznisë Milatoviç pas ndeshjes tha se është i lumtur me këtë fitore edhe pse skuadra e tij ka ende punë.

Trajneri i Vllaznisë shprehet se pjesëmarrja në Ligën Unike me ekipet shqiptare të Kosovës është një gjë e mirë sepse ndikon në rritjen e nivelit të basketbollit.

Trajneri i Teutës Lazimi u shpreh se kampionati sapo ka nisur dhe ka ende kohë si dhe përmendi mungesat në ekipin e tij.

Në sfidën mes Vllaznisë dhe Teutës perioda e parë është e balancuar dhe mbyllet me vetëm një pikë diferencë, 22-21 për Vllazninë. Edhe 10 minutëshi i dytë nuk ka shumë epërsi sepse mbyllet sërish me vetëm 1 pikë avantazh për shkodranët 20-19. Pas dy periodave të para vendasit kryesojnë 42-40 duke lënë gjithçka të hapur në pjesën e dytë të lojës. Perioda e tretë është momenti më i mirë për kuqeblutë të cilët fitojnë 26-15.

Kur duhen edhe 10 minuta lojë shkodranët kryesojnë me 13 pikë, 68-55. Miqtë bëjnë gjithçka për ta kthyer ndeshjen por nuk ia dalin edhe pse perioda e fundit flet për ata. Durrsakët e fitojnë 27-17 pjesën e fundit të lojës por nuk mjafton për të siguruar fitoren që i përket Vllaznisë me rezultatin e përgjithshëm 85-82 duke kryesuar kampionatin me dy fitore radhazi.

Artikulli paraprakSHKODËR, ZHVILLOHET FESTIVALI PËR FËMIJË “ZECCHINO D’ORO”
Artikulli tjetërVOLEJ MESHKUJ, PRAGNDESHJA VLLAZNIA-ERZENI