Pas fitoreve me Apoloninë dhe Fieri Basket, Vllaznia e basketbollit për meshkuj ka marrë edhe një tjetër fitore në kampionat, e cila ka qenë e treta rradhazi. Këtë herë, kuqeblutë mposhtën Partizanin, duke triumfuar me rezultatin 85-66, në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Pjesën e parë të duelit, Vllaznia e mbylli në favor të saj në shifrat 47-34, duke shkuar në pushimin e ndeshjes me një avantazh prej 13-pikësh. Kjo gjë do t’i jepte mundësinë ekipit shkodran ta administrojë si duhet rezultatin në vazhdim dhe në fund e mbyll gjithë takimin me fitore, në shifrat 85-66. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë në basketboll për meshkuj, Damian Bekteshi, tha se kjo fitore ishte në vazhdën e rezultateve pozitive që kuqeblutë po kalojnë së fundmi.
Kështu, Vllaznia në basketboll për meshkuj merr fitoren e tretë rradhazi, teksa ndeshja e fundit e kampionatit për kuqeblutë do të jetë ndaj Elbasanit në transfertë.