Ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj ka “surprizuar” duke mposhtur Teutën pretendente. Kuqeblutë u treguan superiorë në fushën e lojës, duke fituar 82-65. Ndeshja është luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe është shoqëruar nga një dominim i kuqebluve. Takimi ka nisur me rivalitet megjithatë perioda e parë do të mbyllej në shifrat 16-13 në favor të Vllaznisë e cila e ruajti këtë epërsi të ngushtë edhe në të dytën që mbyllet 16-15 dhe kësisoj ajo do të shkonte në pushimin e ndeshjes me një diferencë prej 4 pikësh me durrsakët.

Edhe perioda e tretë do të ishte thuajse e njëjtë dhe djemtë e drejtuar nga trajneri Bekteshi thjesht ruajnë epërsinë e vogël, madje e thellojnë edhe pak atë sepse ky 10 minutësh do të mbyllej 21-18 po në favorin e tyre. Kur u duk se do të kishte rivalitet deri në fund, në fakt nuk do të ndodhte kështu sepse shkodranët e kanë dominuar periodën e katërt të cilët e fitojnë 29-19 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 82-65.

Pas 3 javësh kampionat, Vllaznia ka arritur të sigurojë 2 fitore dhe 1 humbje duke treguar se do të ketë më shumë ambicje se sezonin e kaluar dhe pas fitores së sotme ndaj Teutës, ky është një realitet.

https://youtu.be/k3l1IUyJmmA

Artikulli paraprakAKADEMIA VLLAZNIA, NJË FITORE DHE NJË HUMBJE
Artikulli tjetërTETORI ROZË: MARSHIM SENSIBILIZUES NË SHKODËR