Vllaznia në basketboll për meshkuj ka realizuar një tjetër fitore në kampionat duke mundur Partizanin me rezultatin 96-83. Shkodranët dominuan në këtë përballje ndaj ekipit kryeqytetas duke fituar me 13 pikë diferencë. Vllaznia fitoi 27-17 periodën e parë ndërsa epërsi kishte edhe në të dytën duke fituar 24-21. Kështu vendasit shkojnë në dhomat e zhveshjesh me rezultatin 51-38.
Shkodranët edhe në periodën e tretë ruajnë avantazhin duke fituar 22-20. Në 10 minutëshin e fundit Vllaznia aktivizon një pjesë të lojtarëve të rinj duke i dhënë mundësinë që të kenë disa minuta loje dhe të tregojnë aftësitë e tyre ndërsa perioda a katërt mbyllet 23-25 dhe krejt ndeshja 96-83 për kuqeblutë.
Pas ndeshjes trajneri i Vllaznisë Nikola Milatoviç u shpreh i lumtur për këtë fitore dhe duket se ka gjetur qetësinë me këto fitore.
Tekniku i Vllaznisë vlerëson edhe lojën e lojtarëve të rinj duke pranuar edhe disa gabime të tyre që i cilësoi normale.
Me këtë fitore ndaj Partizanit, Vllaznia merr fitoren e tretë radhazi në ndeshjet e saj gjë e cila rikthen qetësinë pas një periudhë të gjatë jo të mirë me afro 6 humbje ndërsa Partizani ndodhet në një krizë rezultatesh me 5 humbje radhazi.
Në këtë përballje amerikanët Bessard dhe Stove janë pikëshënuesit më të mirë me nga 22 pikë për Vllazninë ndërsa për Partizanin Ramme është pikëshënuesi më i mirë i gjithë ndeshjes me 26 pikë të realizuara.