Bullgari Nikolay Gospodinov do të jetë trajneri i ri i Vllaznisë në basketboll për meshkuj. Gospodinov pas stërvitjes së parë dhe njohjes me ekipin u prezantua nga presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferri. Ky i fundit tha se sezonin që do vijë objektiv është rindërtimi i një ekipi cilësor për të arritur fitimin e trofeut.

Ndryshe nga presidenti Xhaferri i cili u foli për arritje të mëdha që në këtë sezon trajneri i sapoardhur Gospodinov nuk ishte në të njëjtën linjë duke thënë se vetëm pas dy sezonesh Vllaznia mund të rikthehet në nivelet më të larta.

“Shkodra është një qytet i bukur, kemi pasur shumë takime. Ka shumë njerëz pozitiv dhe impresionet e para janë pozitive. Shumë prej lojtarëve nuk janë në gjëndje të mirë fizike edhe pse ka përfunduar kampionati prej 2 – 3 javësh.

Jemi në një proces selektimi të lojtarëve. Loja mes grupit ishte për të parë më shumë gjendjen e lojtarëve sepse vetëm 1 herë jam takuar me to. Na duhen 2 – 3 lojtarë të huaj në merkato për sezonin e ri, që të bëjnë diferencën në ekip. Gjithashtu, do të përfshijmë në ekip edhe një lojtar nga U-18, që të rrisim cilësinë e skuadres hap pas hapi.

Në të kaluaren, Vllaznia ka qenë ndër skuadrat më të mira në Shqipëri dhe shpresoj që të kapim të njëjtin nivel, edhe pse nuk ka për të qenë e lehtë duke marrë parasysh se ka skuadra si Teuta dhe Goga Basket.

Ne nuk jemi magjistarë që të bëjmë direkt për disa muaj ekipin pretendentë. Por, unë premtoj se do të mundohemi të bëjmë më të mirën, një ekip profesionist në lojtarë dhe cdo gjë. Nëse jemi të gjithë bashkë, më besoni se brenda 1 apo 2 vitesh, Vllaznia do të jetë në rrugë të drejtë.”

Gospodinov u prezantua por ai ende nuk ka firmosur një kontratë dhe zyrtarisht nuk është ende trajner i Vllaznisë. Kontrata mund të firmoset në muajt në vijim.

Nga ana tjetër tek Vllaznia në stërvitje janë rikthyer emra si Herion Faslija, Nikolin Arra apo Robert Shestani. Burime pranë klubit bëjnë me dije se trajneri i ri Gospodinov i ka thënë lojtarëve se për sezonin e ardhshëm objektivi maksimal është thjeshtë dalja në Play Off mes 4 ekipeve më të mira. Kjo nuk është aq e lehtë duke qenë se Vllaznia vjen pas një sezoni ku deri në fund luftoi për mbijetesë.

Artikulli paraprakGRUAJA PAGUAN MAKINËN E RE ME 66 QESE PLOT MONEDHA
Artikulli tjetërLONDËR, DY SHQIPTARË FILMOJNE GRABITËSIT E ARGJENDARISË