Një ndeshje dramatike ka rezultuar ajo mes Vllaznisë dhe Tiranës në basketbollin e meshkujve e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Vllaznisë i janë dashur sekondat e fundit për të arritur fitoren e tretë radhazi në këtë nisje të kampionatit për t’u konfirmuar ndër ekipet pretendente për titullin kampion.

Edhe pse Vllaznia kryesonte me 13 pikë kur duheshin edhe 3 minuta lojë Tirana nga 72-59 e çon rezultatin në 76-77. Vllaznia në 11 aksione realizon vetëm 4 pikë ndërsa Tirana shkon shumë afër fitores por në aksionin e fundit kuqeblutë ruajnë qetësinë dhe shënojnë duke marrë një fitore të rëndësishme në shifrat 78-77. Tifozët që kishin mbushur pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” shpërthyen në festë duke gëzuar bashkë me lojtarët këtë fitore me shumë peshë.

Pas kësaj fitoreje trajneri i Vllaznisë Nikolai Gospodinov u shpreh se skuadra e tij ka nevojë që të bëjë disa përmirësime.

“Një fitore që na shërben shumë. Megjithatë është një situatë e njëjtë me ekipet e tjera ku skuadra nuk reagon siç duhet dhe gabon në mbrojtje por edhe në sulm. Duhet ta rregullojmë këtë gjë sepse ishim 13 pikë para dhe gabuam edhe pse nuk janë shumë sepse ishin 3 minuta lojë. Dua të falenderoj tifozët,

Presidentin, gruan e Presidentit dhe familjen e saj që mu gjendën oranë në një moment të vështirë dhe gruan time. I them që e dua shumë dhe shoresoj që në të jetë në Shkodër në këtë atmosferë të mrekullueshme dhe ta festojmë bashkë të gjithë titullin kampion që shpresojmë ta fitojmë.

Mundësitë e skuadrës janë shume më të mëdha dhe besoj se do të përmirësohemi në ndeshjet e tjera që kemi dhe të bëjmë edhe paraqitje më të mira. Tifozët sonte ishin të mrekullueshëm dhe i ftoj që të jenë gjithmonë kështu sepse kemi nevojë”.

Trajneri i Tiranës Erand Karaj ndjen keqardhje për këtë humbje ndërsa Vllazninë e sheh si ekip pretendent.

Gjatë gjithë ndeshjes tifozët e Vllaznisë u treguan entuziastë duke mbështetur ekipin e tyre të zemrës dhe duke iu gëzuar kësaj fitoreje ndërsa shpresojnë që ekipi të vijojë me këtë ecuri pozitive edhe në përballjet e tjera.

Amerikani Perine dhe Voss për Vllazninë shënuan nga 25 pikë secili dhe 15 pikë realizoi Hudson duke qenë vendimtar në këtë fitore. Tek Tirana Hysa realizu 24 pikë ndërsa Daliu 23 pikë ndërsa ky i fundit disa herë u vërshëllye nga tifozët e Vllaznisë duke mos harruar këtë marrëdhënie jo të mirë me të pas largimit nga Shkodra.

Artikulli paraprakSHKODËR, NDEROHEN MË TË MIRËT E PESHËNGRITJES NË 100 VITE
Artikulli tjetërVOLEJ FEMRA, VLLAZNIA FITORE PLOT EMOCION NDAJ BARLETIT