Ndryshe nga një javë më parë kundër Teutës, Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka zhgënjyer tërësisht në ndeshjen e rradhës për kampionat, atë të luajtur ndaj Kamzës, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, duke humbur me rezultatin e thellë 62-102. Në këtë takim, gjithçka ka shkuar keq për djemtë e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi. Ato e nisën këtë përballje jo në mënyrën e duhur dhe si rrjedhojë, në periodën e parë do të fiksoheshin shifrat 13-29 në favor të ekipit mik. Në të dytën, kuqeblutë arrijnë të përmirësojnë diçka dhe e shkurtojnë diferencën deri në 9-pikë, por sërish në fund gabojnë dhe në këtë mënyrë, dy ekipet shkojnë në pushimin e ndeshjes me rezultatin 34-48 në favor të Kamzës. U mendua se në pjesën e dytë, Vllaznia do të rregullonte diçka në lojën e saj, por shkodranët zhgënjëjnë tërësisht. 10-minutëshi i tretë mbyllet 15-29 në favor të miqve sërish, ndërsa në të katërtin do të fiksoheshin shifrat 13-25 dhe në këtë mënyrë, Kamza do ta fitonte krejt ndeshjen me 40-pikë diferencë, pikërisht 62-102. Pas këtij dueli, trajneri i Vllaznisë, Damian Bekteshi tha se ishte një ditë “jo” për ekipin e tij.
Ndërkohë, trajneri i Kamzës, shkodrani Eni Llazani u shpreh se Vllaznia e nënvlerësoi ekipin e tij pas fitores që arritën kuqeblutë ndaj Teutës javën e kaluar.
Ndeshja e rradhës për Vllazninë në basketboll për meshkuj do të jetë sërish në Shkodër, kësaj here me Flamurtarin.