Në prag të ndeshjes finale të Superkupës që basketbollistët e Vllaznisë kanë me Tiranën në transfertë, trajneri i kuqebluve Jeronimo Sarin bën të ditur se ekipi i tij ka një formë të mirë sportive dhe se kërkon që të fitojë trofeun e Superkupës.
“Kemi 9 ndeshje dhe 9 fitore dhe kjo tregon se kemi një formë të mirë. Patjetër që unë jam këtu për të fituar qoftë Superkupën me Tiranën por edhe titullin kampion. Këto janë objektivat tona dhe shpresoj që t’ia arrijmë qëllimit. Në play off do ndeshemi me Teutën dhe them se do e kalojmë pa probleme dhe më pas çdo sfidë tjetër e kemi me Tiranën ndaj edhe po përgatitemi që të fitojmë qoftë Superkupën por edhe kampionatin”. Trajneri i kuqebluve e ka të qartë se Tirana ka disa avantazhe ndaj Vllaznisë por kjo sipas tij nuk e bën më të dobët skuadrën e tij, përkundrazi e motivon më shumë për të fituar gjithçka…. “Në opinionin tim Vllaznia ka një gjendje të mirë sportive. Vetëm lojtari që sapo ka ardhur Oliver pati një problem por e ka kaluar dhe është i gatshëm. Tirana ka një avantazh sepse në finalet e kampionatit do të ketë 3 ndeshje në fushën e saj dhe 2 në Shkodër dhe po ashtu është ekipi që ka marrë pjesë në kompeticionin europian dhe ka një përgatitje shumë të mirë. Kjo na bën ne që të punojmë edhe më shumë për të kërkuar fitimin e titullit kampion dhe të Superkupës”. Ndeshja finale e Superkupës Tirana-Vllaznia do të jetë me 6 prill në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në ora 18:00. Për tifozët shkodranë janë në dispozicion dy autobuzë që do nisen në ora 15:00 drejt kryeqytetit.