Ndeshja finale e Superkupës në basketbollin e meshkujve mes Tiranës dhe Vllaznisë është kthyer në një arenë dhunë fizike e psikoligjike duke detyruar që sfida të anulohet.
Grupimi i tifozëve bardheblu “Fanatics” ka ndërmarrë akte vandale të shëmtuara ndaj tifozërisë shkodrane. Gjithçka ka nisur që në mjediset e jashtme të pallatit të sportit “Asllan Rusi” kur tifozët e kryeqytetit të njohur për sjelljen barbare të tyre në stadiume apo pallate sporti kanë provokuar tifozët kuqeblu të cilët kanë qenë të organizuar. Edhe pse nën një situatë terrori forcat e policisë në pallatin e sportit kanë qenë shumë të pakta duke mos marrë asnjë masë për sigurinë, mbrojtjen e tifozërisë dhe lojtarëve e stafit teknik. Sapo kanë dalë në fushë lojtarët e Vllaznisë menjëherë grupimi “Fanatics” ka nisur sharje e fyerje me një fjalor të rëndë dhe që nuk bën aspak krenare Tiranën dhe traditën e saj që pretendon se e ka.
Fusha e pallatit të sportit është kthyer në pak minuta në arenë përleshjeje teksa tifozët bardheblu kanë mësyer tek ata të Vllaznisë duke patur edhe goditje mes tyre. Natyrisht që shkodranët nuk kanë qëndruar në vendnumëro dhe i kanë detyruar kryeqytetasit që të tërhiqen duke mos e çuar fatmirësisht deri në fund misionin e tyre. Pavarësisht kësaj disa tifozë të Vllaznisë janë dëmtuar dhe kanë përfunduar në spital. Skuadra kuqeblu është traumatizuar nga kjo sjellje ndërsa në shkallët e pallatit të sportit ndodheshin edhe familjarë të tyre. Dy tifozëritë ajo e Vllaznisë dhe Tiranës vijojnë të kenë marrëdhënie të acaruara që pas 11 shtatorit të 2014-ës kur një ndeshje futbolli në Shkodër pati një përplasje të tillë. Që atëherë tifozët e Tiranës nuk vijnë më në Shkodër ndryshe nga kuqeblutë që nuk e lënë asnjëherë vetëm skuadrën e tyre. Superkupa e basketbollit do të luhet ditën e hëne në ora 18:00.