Skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj është përforcuar me një tjetër basketbollist.
Kështu në Shkodër ka mbërritur edhe amerikani i katërt. Bëhet fjalë për Chris Olivier, një lojtar cilësor që e bën Vllazninë një ekip edhe më të fortë. Chris Olivier deri më tani ka qenë pjesë e ekipit kosovar Golden Eagle Ylli, skuadër me të cilën Vllaznia zhvilloi edhe një ndeshje miqësore përpara pak kohëve në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Nga sa bëhet e ditur Chris Olivier luan në pozicionin 5 dhe ka një mesatare prej 23 pikësh dhe 14 kërcime për çdo ndeshje. Përveç të dhënave Olivier edhe në ndeshjen miqësore të zhvilluar ndaj Vllaznisë u spikat në skuadrën e tij Golden Eagle Ylli duke një prej më të mirëve në fushën e lojës. Me këtë përforcim të radhës duke çuar në 6 numrin e basketbollistëve të ardhur, Vllaznia shton shanset e saj për të fituar titullin e katërt kampion radhazi. Tirana është skuadra e cila mban vendin e parë në renditje por kështu ka ndodhur edhe sezonet e kaluara sepse edhe pse jo kryesuese e kampionatit Vllaznia për 3 sezone me radhë jo vetëm se ka dalë në finale por është shpallur edhe kampione e Shqipërisë. Kuqeblutë të njëjtën gjë synojnë edhe këtë vit edhe pse rivaliteti me Tiranën është tejet i fortë. Në ndeshjen e fundit shkodranët arritën të fitojnë ndaj bardhebluve duke treguar se kanë mjaftueshëm forca për ta mposhtur atë ekip. Me ardhjen e amerikanit Olivier gjërat janë edhe më të thjeshta për Vllazninë e cila pretendon që të ngrejë për të katërtën herë trofeun.