Vllaznia e basketbollit të meshkujve e ka nisur me humbje kampionatin. Në ndeshjen ndaj Teutës, e cila u transmetua drejtpërdrejt në Star Plus TV, durrsakët luajtën më mirë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe në fund triumfuan me rezultatin 95-87. Perioda e parë do të mbyllej në shifrat e barabarta 20-20, por në periodën e dytë Teuta dominon dhe e mbyll në shifrat 24-13, duke shkuar në pushimin e ndeshjes me një diferencë prej 11-pikësh në favorin e saj. Një epërsi e tillë pothuajse u ruajt deri në fund, teksa Teuta në dy periodat e fundit thelloi sërish avantazhin dhe në këtë mënyrë, ia doli ta fitojë këtë ndeshje me rezultatin 95-87. Pas humbjes, trajneri i Vllaznisë, Damian Bekteshi, tha se nuk e priste këtë paraqitje nga ana e ekipit të tij, ndërsa shtoi se ka ndikuar edhe fakti që skuadra gjatë gjithë kësaj periudhe nuk ka zhvilluar ndeshje miqësore.
Nga ana tjetër, basketbollisti i Teutës, Klevis Mërdhoçi u shfaq shumë i lumtur për këtë fitore me Vllazninë në Shkodër.
Në këtë mënyrë, Vllaznia starton me humbje kampionatin, duke zhgënjyer edhe tifozët e shumtë të pranishëm në pallatin e sportit, pasi pritshmëritë e kësaj skuadre ishin të mëdha, nisur edhe nga merkatoja e zhvilluar.