Kamza Basket ka fituar Kupën e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, pas triumfit 64-60 në finale ndaj Tiranës, ndeshje e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Kjo është hera e dytë për ekipin kamzali që triumfon në Kupën e Shqipërisë, duke përsëritur suksesin e vitit 2012. Kamza, skuadra më pak e kuotuar për të fituar këtë Kupë, befason me paraqitjen e saj, duke konfirmuar se është edhe ajo pretendente këtë sezon për trofetë. Ndeshja u zhvillua në një pallat sporti thuajse të boshatisur, pasi ishte një derbi i kryeqytetit në një fushë asnjanëse e ku tifozët nuk ishin të interesuar pas humbjes së Vllaznisë në gjysmëfinale. Perioda e parë është me luhatje dhe përmbysje të çuditshme të rezultatit. Tirana shkëputet fillimisht 13-2, por më pas vjen rikuperimi i Kamza Basket, që del përpara 13-16. Një tripikësh i Voglit barazon shifrat 16-16 në përfundim të pjesës së parë, një periodë ku gabimet në gjuajtje janë të shumta. Por gabimet nuk ndalen as në çerekun e dytë, si në gjuajtje ashtu dhe në pasime, duke bërë që niveli të jetë i ulët. Por të paktën në fushë ka ekuilibër dhe barazime të shpeshta dhe gjysma e parë e takimit përfundon 32-31 për Tiranën. Rivaliteti do të vijojë edhe në periodën e tretë, me barazime të shpeshta e ku asnjëra nga skuadrat nuk arrin të shkëputet. Të dyja ekipet i ruhen njëra-tjetrës, kanë frikë, por edhe gabojnë shumë, por është Kamza ajo që udhëheq me 1 pikë, 50-49, pas përfundimit të periodës së tretë. Mjaft emocione në periodën e katërt, ku ekipet rivalizojnë për çdo pikë dhe dramaciteti bëhet edhe më i madh në minutat e fundit. Tirana shkëputet 59-56, por nuk përfiton, ndërkohë që kapiteni Karaj bën diferencën në fushë në momentet vendimtare, fillimisht barazon e më pas realizon gjuajtjet e lira, që i japin suksesin Kamzës me shifrat 64-60. Kamza bëri në finale atë që Tirana bëri ndaj Vllaznisë organizatore të këtij turneu dje në gjysmëfinale: Ishte më e durueshme, përmirësoi lojën me kalimin e minutave, qarkulloi topin dhe në fund rezultati ishte trofeu. “Megjithë largimet që kemi patur, sërish treguam se me punë mund të fitojmë. Unë kam thënë gjithnjë që objektivat tona janë fitimi i të tri trofeve dhe nuk heqim dorë”, u shpreh pas ndeshjes trajneri i Kamza Basket, Adem Muhametaj. Drejtuesit e FSHB-së dhuruan trofeun për fituesit nga kryeqyteti, që nisën festën edhe pse të vjen keq që ajo festë nuk u shijua nga tifozët kamzali.

Artikulli paraprakSTADIUMI “LORO BORIÇI” KTHEHET NË ÇËSHTJE TË TIFOZËVE
Artikulli tjetërPROMOVOHET NË SHKODËR ENCIKLIKA E PAPA FRANÇESKUT