Lajmi për ngritjen e bazës ajrore ushtarake ka zgjuar ëndrrën e Kuçovës së dikurshme. Të atij qyteti ku ishin punësuar shumë specialistë të naftës dhe të aviacionit.
Sot një zonë me të gjithë banorët të papunë. Para ‘90-s këtu besohej se ishte vendi më i zhvilluar. Nxirrej dhe përpunohej naftë. Riparoheshin avionë e disa ndërmarrje të vogla që lidheshin me naftën apo detergjentët.
I bërë publik nga kryeministri Edi Rama, ndërtimi i bazës ajrore për gjithë Ballkanin Perëndimor, për banorët do të thotë një jetë më e mirë në Kuçovë.
-“Më dukej një mrekulli që e kam ëndërruar gjithë jetën. Ngeli mbas dore, ishalla u bëftë, do të jetë gjëja më e mirë më e bukur për të gjithë zonën dhe për të gjithë Kuçovën“, tha një banor.
– “Mbase do të na bëhet ndonjë gjë e mirë për Kuçovën“, tha një tjetër.
Pranë Aviacionit të Kuçovës, që sot administrohet nga NATO, ka qetësi. Lajmi qarkullon dhe ndër radhët e punonjësve ushtarakë, por askush nuk pranon të flasë.
Ish-komandati i Bazës Ajrore të Kuçovës, gjatë viteve 1998-2001, Epaminonda Tupa, piloti më i vjetër që ka fluturuar nga ky aerodrom për 35-vjet me radhë thotë se rindërtimi i Bazës Ajrore në funksion të NATO-s është një dhuratë e çmuar jo vetëm për aviatorët.
“Na pëlqeu jashtë mase ky vendim i marrë dhe do sjellë gjallim të Kuçovës jo vetëm nga ana ekonomike, por të gjithë vendit tonë e të gjithë rajonit tonë. Realizimi i një ëndrre që ne e kemi pasur prej kohësh”, tha Tupa.
E ndërtuar në 15 Maj të vitit 1955, nëpërmjet Uzinës së Aviacionit këtu kryheshin riparimet kapitale të avionëve dhe te motorëve. 2 mijë vetë shërbenin në aviacion dhe në ushtri.