Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së bazës së NATO-s në Kuçovë solli në vëmendje një artikull të gazetës Zëri i Popullit në vitin 1954, kur shkruante për vizitën e liderit Nikita Hrushovit në Shqipëri. Rama tha se kjo bazë aso kohe konsiderohej një vend strategjik i Perandorisë Sovjetike dhe ishte pjesë e planit të Kremlinit aso kohe për të sulmuar vendet perëndimore edhe me avionët që ishin në bazën e Kuçovës.
Kreu i qeverisë theksoi se sot Shqipëria është në anën tjetër, krah Perëndimit dhe duke pritur aleatët në mbrojtje të paqes dhe demokracisë.
“Duke parë një pjesë të pranishmëve si përfaqësues të një gjenerate tjetër, e cila përjetoi të gjitha zhvillimet e përpara ndryshimeve demokratike, po referohem një fragmenti të gazetës ‘Zëri i Popullit’ në maj 1954, kur në Shqipëri erdhi udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik dhe gazeta shkruante se ‘të vdekurit po kërcenin nga gëzimi dhe lulet atë maj kishin çelur më herët për të mirëpritur Hrushovin’. Është i rëndësishëm ky referim sepse në atë kohë Shqipëria me këtë bazë që rihapim sot konsiderohej një vend strategjik i Perandorisë Sovjetike përballë Europës Perëndimor dhe ishin sistemuar një numër jo i vogël avionësh bombardues.
Po të lexosh planin e deklasifikuar të luftës që qëndronte në sirtarët e Kremlinit, lufta do niste me bombardimit e Vjenës, Munihut, dy bazave të NATO-s në Danimarkë dhe pjesë e këtij operacioni do ishin edhe avionët e bazës së Kuçovës. Sot jetojmë në epokë tjetër dhe fatmirësisht Shqipëri gjendet në anën tjetër, duke mirëpritur me krenari dhe respekt aleatët e saj dhe partnerët në një aleancë e cila është në radhë të parë, një aleancë vlerash në mbrojtje të paqes dhe demokracisë”, tha Rama.