Ngrirja e pagave nga qeveria dhe tkurrja e të ardhurave nga burimet e tjera kanë varfëruar familjet shqiptare duke i detyruar të prekin kursimet.
Përfundimi tronditës vjen nga një raport i fundit i Bankës Botërore, i titulluar : “Risk dhe fitim, të menaxhosh ekuilibrat financiarë për rritje gjithëpërfshirëse në Europë dhe Azi”. Sipas Bankës Botërore, mbi 80 për qind e familjeve shqiptare, të cilat kursejnë kanë ulur ritmin e kursimeve, pra shumën e parave që heqin mënjanë çdo muaj. Kjo është shifra më e lartë në Europën Lindore dhe atë Qendrore, pasi në të gjitha vendet e tjera pjesa e familjeve që kanë ulur kursimet mujore është deri në katër herë më e ulët se në Shqipëri. Por ky nuk është përfundimi më tronditës i raportit. Një tjetër tregues më i drejtëpërdrejtë i varfërimit është ai se mbi 40 për qind e familjeve shqiptare që kanë kursime, i kanë prekur ato, pra kanë shpenzuar paratë që kishin kursyer me mund përgjatë viteve. Kjo pasi janë përballur më rënien e të ardhurave. Sipas raportit, vetëm Kroacia ka patur një shifër më të lartë të familjeve që kanë prekur kursimet se sa Shqipëria, ndërsa të gjitha vendet e tjera janë goditur më pak. Të dhënat zyrtare tregojnë se pas vitit 2013, familjet shqiptare janë përballur me rënien e të ardhurave për shkak të uljes së pagave reale dhe tkurrjes së burimeve të tjera të të ardhurave. Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2015 pagat e sektorit publik në Shqipëri pësuan një rritje reale negative për herë të parë në mbi 15 vjet, si pjesë e programit të qeverisë për të mos pagat e sektorit publik me synimin për të mbajtur të ulëta shpenzimet dhe borxhin publik. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare bruto e sektorit publik qe në masën 54 mijë lekë, me një rritje prej 1.8 për qind në krahasim me vitin 2014, kur paga mesatare bruto qe pak më shumë se 53 mijë lekë. Në të njëjtën kohë, Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 1.9 për qind, gjë që bën që paga reale, e cila llogaritet si pagë minimale minus inflacionin, të zbresë në minus 0.1 për qind. Kjo është hera e parë në pesëmbëdhjetë vjet që paga në sektorin publik pëson rënie në terma realë. Në fakt, pagat në sektorin publik kanë që nga viti 2012 që janë në stanjacion ose rritje minimale. Rritja reale për vitin 2014 qe 0.1 për qind ndërsa më 2013 qe 2 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë, ngritja e rrogave në shtet nga qeveria është shoqëruar me një rënie më të madhe të tyre në sektorin privat. Në vitin 2015, paga reale në sektorin mesatarisht u ul me gati 6 për qind teksa bizneset kanë shkurtuar shpenzimet për të mbijetuar në treg. Të ardhurat nga puna përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave në Shqipëri. E kombinuar me rënien e dërgesave nga emigrantët, ulja e pagave duket se ka vënë në vështirësi familjet shqiptare duke i detyruar të shpenzojnë kursimet e hequra mënjanë.