Partia Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit deklaron se nuk ka partner strategjik dhe të preferuar nga kampi politik maqedonas.
Një fakt i tillë u përcoll përmes një deklarate për mediat të enjten pas mbledhjes që mbajti në Tetovë, Kryesia Qëndrore e kësaj partie. BDI deklaron se vë interesin e ruajtjes së stabilitetit të vendit para interesit partiak. BDI i përcakton si të panegociueshme për mandatin e ardhshëm çështjet si përdorimi i barabartë zyrtar i gjuhës shqipe, integrimi në NATO dhe BE, vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike me qëllim zbradhjen e të gjitha dyshimeve të dala nga megaskandali i përgjimeve. Ndërkaq lideri i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, ka deklaruar se janë kundër zgjatjes së mandatit të Prokurorisë Speciale Publike. Kryesia Qendrore e BDI-së thekson se do mbetet në mbledhje permanente deri në përmbylljen e këtij procesi konsultativ.
Ja komunikata e plotë: Të vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe rolin vendimtar të BDI-së në orientimin e proceseve politike për të ardhmen, Në frymën e unifikimit të qëndrimeve të faktorit politik shqiptar, Në bazë të platformës së Bashkimit Demokratik për Integrim, Në mbështetje të konsultave të gjera me strukturën partiake dhe qytetarët për t’i analizuar të gjitha kontekstet dhe implikimet gjeopolitike, rajonale dhe vendore, Kryesia e BDI-së mori këto qëndrime: BDI nuk ka partner strategjik dhe të preferuar te kampi politik maqedonas, BDI vë interesin e ruajtjes së stabilitetit të vendit para interesit partiak, BDI i përcakton si të panegociueshme për mandatin e ardhshëm çështjet e mëposhtme: Përdorimi i barabartë zyrtar i gjuhës shqipe Integrimi në NATO Integrimi në BE Vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale Publike me qëllim zbradhjen e të gjitha dyshimeve të dala nga megaskandali i përgjimeve, Kryesia Qendrore e BDI-së do mbetet në mbledhje permanente deri në përmbylljen e këtij procesi konsultativ.