Udhëheqësit evropianë festuan sot 10-vjetorin e Traktatit të Lisbonës, një ndër aktet themeltare të Bashkimit Evropian.
Janë shtuar ndërkohë thirrjet për reformimin e këtij unioni të dobësuar gjatë dekadës së fundit nga krizat ekonomike dhe të emigracionit, nga euroskepticizmi në rritje dhe nga Brexit-i.
E diela ishte gjithashtu dita e parë e punës për presidenten e re të Komisionit Evropian, gjermanen Ursula von der Leyen.“Evropa është një premtim, një e ardhme; diçka që duhet ta ndërtojmë të gjithë çdo ditë, tullë mbas tulle”, tha zonja von der Leyen.
Dhjetë vite pasi hyri në fuqi Traktati i Lisbonës, unioni i konceptuar për të krijuar bashkimin nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore, e gjen veten të rrezikuar nga përçarjet.
Gjermania dhe Franca, të cilat kanë shërbyer si aksi kryesor i BE-së, organizuan javën e kaluar “Konferencën për të Ardhmen e Evropës” për të planifikuar një Bashkim Evropian “më të bashkuar dhe më sovran”.
Traktati i Lisbonës e thjeshtëzoi vendimmarrjen brenda unionit që aktualisht ka 28 vende anëtare, 12 nga të cilat nga ish-blloku komunist.