Bashkimi Europian ka vendosur të financojë 96 milion euro për 3 projekte të infrastrukturës hekurudhore në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.

Lajmin e ka dhënë vetë Komisionieri Europian i politikave të fqinjësisë dhe negociatave për zgjerim, Johanes Hahn, gjatë fjalës së tij në Forumin e Biznesit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Paris. Shuma e njoftuar është pjesë e paketës së investimeve që u prezantua sot në kryeqytetin francez, ku eurokomisioneri shtoi se 50 milion euro të tjera do të jepen për rritjen e efiçencës së energjisë së gjelbër në banesa dhe projekte të vogla hidro. “Kjo tregon se jemi serioz sa i përket angazhimit tonë për të siguruar 1 miliard euro brenda 2020-ës me grantet për bashkëfinancimin e axhendës së ndërlidhjes” –tha eurokomisioneri. Sipas Hahn, pavarësisht përfitimeve të dukshme, progresi I masave për të cilat kryeministrat e rajonit kanë rënë dakord në samitin e fundit që u mbajt në Vjenë kanë ende vend për përmirësim. “Ndërtimi dhe lidhja e infrastrukturës së transportit dhe energjisë është në zemër të përpjekjeve të Komisionit për të forcuar integrimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe me BE-në, duke e çuar përpara perspektivën europiane përmes projekteve konkrete. Çka do të thotë fokusimin e investimeve në përmirësimin e infrastrukturës dhe rrjeteve të transportit dhe energjisë për të forcuar bazën e secilit vend për konkurrencë”- shtoi Hahn. Eurokomisioneri theksoi se Ballkani Perëndimor përballet aktualisht me probleme të konsiderueshme, jo vetëm sa i takon financimit të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por edhe me barrën e madhe rregullatore në ekonominë informale. Por sipas Hahn, sa i takon sektorit të energjisë, është e qartë se nuk ka kuptim që të investohet në ndërlidhës të shtrenjtë të transmetuesve në rrjetin elektrik, nëse vendet nuk duan të tregtojnë energjinë në rajon.  

Artikulli paraprakLIDERËT E BALLKANIT TAKIM ME PRESIDENTIN HOLLANDE DHE KANCELAREN MERKEL
Artikulli tjetërKRYMINISTRI RAMA, SOT 52 VJEÇ