Bashkimi Europian po bëhet gjithnjë e më i shqetësuar për numrin në rritje të kërkesave të paraqitura nga azilkërkuesit, të cilët, në parim, nuk kanë të drejtë për të përfituar nga mbrojtja ndërkombëtare, siç janë shtetasit nga India, Bangladeshi, Maroku, Egjipti dhe Peruja. Komisioni Europian vlerëson se numri i kërkesave për azil arriti në 924,000 deri në fund të vitit 2022 – niveli më i lartë që nga viti 2016 – ndërsa kalimet e parregullta të kufijve të BE-së u trefishuan nga viti i kaluar, duke shkuar në 330,000. Veçanërisht, kërkesat për azil përfshinin shtetas nga vendet që konsiderohen kandidate zyrtare për t’u bashkuar me bllokun, si Turqia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Moldavia. Shqetësimi i lartë i shteteve anëtare doli në pah gjatë një takimi jozyrtar dy-ditor të ministrave të brendshëm, i cili u zhvillua në Stokholm këtë javë.

“Kemi tre herë më shumë kërkesa për azil sesa njerëz që vijnë në mënyrë të parregullt dhe të gjitha këto po mbingarkojnë kapacitetet tona të pritjes,” tha të enjten Ylva Johansson, Komisionerja Europiane për Çështjet e Brendshme. “Shumë prej tyre nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.” Johansson tha se mbi 60% e këtyre kërkesave do të përfundojnë me një vendim “negativ”, i cili është një refuzim i azilit dhe një urdhër për t’u larguar nga territori i BE-së. Rreth 850,000 kërkesa, duke përfshirë kërkesat për herë të parë dhe apelimet, janë ende në pritje të një vendimi përfundimtar.

“Presion në rritje mbi sistemet kombëtare”
Blloku duket se ka të vështirë të rikthejë aplikantët e papërshtatshëm në vendet e tyre të tranzitit ose të origjinës, duke arritur që ta bëjë këtë për vetëm 21% të të gjithë migrantëve të parregullt të regjistruar në vitin 2022. Ministrat e Brendshëm duan të rrisin këtë normë sa më shpejt të jetë e mundur dhe po shqyrtojnë disa mënyra për të përdorur nenin 25a të Kodit të Vizave të BE-së, i cili lejon vendosjen e masave kufizuese ndaj vendeve jo-anëtare të BE-së që refuzojnë të bashkëpunojnë për rikthimet.

“Kthimi efektiv është një nga stimujt më të mirë për të parandaluar ardhjen e atyre që nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare,” tha Johansson. Sipas shifrave të ofruara nga Agjencia e Bashkimit Europian për Azilin (EUAA), vetëm në nëntor u paraqitën plot 105,970 kërkesa për azil në të gjithë BE-në, Norvegjinë dhe Zvicrën. Sirianët përbënin grupin më të madh, me 17,739 kërkesa, të ndjekur nga afganët (14,877), turqit (8,342), kolumbianët (4,884) dhe venezuelianët (4,350). Kërkesat e qytetarëve nga Turqia, Bangladeshi, Maroku, Gjeorgjia, Egjipti, Republika Demokratike e Kongos dhe Peruja shënuan “shifrat më të larta historike” në nëntor, tha agjencia. Mbi katër milionë refugjatët ukrainas që ikën nga lufta e Rusisë kanë kaluar një procedurë të veçantë e të përshpejtuar, të njohur si Direktiva e Mbrojtjes së Përkohshme, dhe nuk llogariten në shifrat e kërkesave për azil. Në nëntor u paraqitën gjithashtu mbi 19,900 kërkesa për azil nga shtetas që vinin nga vende që kanë një marrëveshje për lëvizjen pa viza me BE-në, të tillë si kolumbianët, argjentinasit, brazilianët, ekuadorianët, shqiptarët, moldavët, maqedonasit dhe boshnjakët.

“Nivelet e fundit jashtëzakonisht të larta të kërkesave për azil sinjalizojnë presione të shtuara ndaj sistemeve kombëtare,” tha EUAA në raportin e saj të nëntorit.

Azil Graf

Artikulli paraprak“SERBIA NUK ANËTARËSOHET NË NATO PËR ARYSE QË DIHEN”, VUÇIÇ SHPREHET HAPUR: NDJESIA E BOMBARDIMEVE ENDE E FRESKËT
Artikulli tjetërLIGJI I RI PËR BLETARINË, MINISTRJA KRIFCA: RRISIM VLERËN TREGTARE TË …