Demarkacioni si kusht për liberalizimin e vizave është caktuar qysh në vitin 2012 dhe si i tillë duhet patjetër të përmbushet, shkruan sot.
Brukseli nuk do ta heqë Demarkacionin si kusht për liberalizimin e vizave, kërkesë kjo e cila e çoi kryeministrin e Kosovës Isa Mustafën në Bruksel. Ai do të dështojë ta bind BE-në që ta largojë Demarkacionin si kusht për heqjen e vizave për një afat të caktuar kohor. Kështu thonë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, të cilët vlerësojnë se e tërë kjo është një lojë e kryeministrit Mustafa i cili, siç thonë ata, po bën përpjekjet e fundit për mos ta lejuar rrëzimin e koalicionit qeverisës. Sipas tyre, gjasat janë mëse minimale që BE-ja të pranojë ta largojë këtë kusht, teksa e ka vënë atë qysh në vitin 2012.
Nga ana tjetër edhe përfaqësues të Ministrisë së Integrimit Evropian konsiderojnë se Demarkacioni është një kriter i cili duhet përmbushur. Por sipas tyre Qeveria dhe Kuvendi janë duke bërë koordinimin e nevojshëm që procesi i liberalizimit të vizave, gjegjësisht Demarkacioni, të përfundojë sa më parë. Kurse përfaqësues të opozitës shprehen të vendosur se nisma e Mustafës është një lojë e pastër politike.
MIE: Kriteri i Demarkacionit duhet të përmbushet
Gëzim Dushi nga Ministria e Integrimit Evropian (MIE) ka thënë për “Zërin” se Demarkacioni si kusht për liberalizimin e vizave është caktuar qysh në vitin 2012 dhe si i tillë duhet patjetër të përmbushet. “Kriteri i Demarkacionit është vendosur qysh në vitin 2012, në fillim të procesit të liberalizimit të vizave, në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, për çka ne jemi pajtuar me këtë udhërrëfyes dhe si i tillë duhet të përmbushet”, ka deklaruar ai