Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë mblidhen sot, më 22 janar, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.

Bëhet fjalë për konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”. Prites i konferencës do të jetë kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në konferencë, ashtu sikurse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Në takim do të ketë edhe përfaqësues prej Bosnje-Hercegovinës. Përveç tyre, Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen prej Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Në mesin e zyrtarëve të BE-së do të jetë drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman dhe zyrtarë tjerë.

MESAZHI I RAMES

Ndërkaq kryeministri Edi Rama ka përcjellë dhe një mesazh për mediat në hyrje të takimit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE, SHBA e institucioneve financiare ndërkombëtare, mbi Planin e Ri të Rritjes që Komisioni Europian ka futur tanimë në agjendën BE, për të mbështetur integrimin e përshpejtuar të rajonit tonë në Tregun e Përbashkët Europian, si edhe financimin e prioriteteve tona ekonomike.

Plani i BE-së për Ballkanin

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro. Pagesat është thënë se do të ekzekutohen vetëm pas përmbushjes së reformave të diskutuara.

Rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE

Kroacia ka qenë e para prej vendeve të rajonit që ka aplikuar për anëtarësim në BE, më 2003 dhe e ka finalizuar procesin. Ndërkohë kanë aplikuar edhe vendet tjera, përfshirë Kosovën, më 2022.

Statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE kanë arritur ta marrin Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje – Hercegovina.

Nga këto vende, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllokun evropian, pasi që kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim. Kosova nuk e ka as statusin e vendit kandidat.

Artikulli paraprak“RESHJET KANË PUSHUAR NË TË GJITHË VENDIN”, ARRSH: QARKULLIMI KRYHET PA PROBLEME NË TË GJITHA AKSET NACIONALE
Artikulli tjetër“MË FALNI QË JAM ENTUZIAST, POR S’JAM I ÇMENDUR!”, RAMA MESAZH LIDERËVE TË BALLKANIT: TË VENDOSIM NJË RRETH POLITIK, DUHET TË HARRONI HISTORINË!