Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, dhe ekipi i saj po e vëzhgojnë nga afër zhvillimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës
këto ditët e fundit, e një vëmendje e veçantë i është kushtuar ngjarjes së të shtunës, thuhet në një deklaratë për shtyp të lëshuar nga zyra e saj. “BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët për ngjarjet e së shtunës. Përfaqësuesi i Lartë ka folur tashmë me kryeministrin Vuçiç”, ka pohuar për “Tanjug” zëdhënësja Maja Koçijançiç. Koçijançiç, në një deklaratë me shkrim shprehet se, blloku europian u bën thirrje të dyja palëve për të treguar përmbajtje dhe maturi, si dhe t’i kthehen çështjes së dialogut. “Dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura me interes të përbashkët”, ka përsëritur ajo. Me një mesazh të ngjashëm, Koçijançiç pati reaguar edhe pas ndalimit të Haradinajt, kur u kërkoi palëve t’i përmbahen një klime që nxit normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa zgjidhja sipas saj duhet të vijë përmes dialogut.