27 vjeç, yll botëror në rritje i “Pop”-it dhe kantautore; ka bashkëpunime me emra të njohur si David Guetta e Nicki Minaj.
Ka shkruar këngë për artistë në zë, përfshirë këtu “Like a Champion” për Selena Gomez dhe “The Monster” për Eminem dhe Rihanna. E që kur nxori albumin debutues “A.Y.F”, Bebe Rexha nuk ndalet më. “No Broken Hearts” pushtoi klasifikimet në muajin prill, e videoklipi i saj rezulton të jetë parë më shumë se 128 milionë herë. Tani ka diçka të re, për të cilën është vënë në vëmendjen e shtypit botëror: do të jetë prezantuesja e “MTV Europe Music Awards”. “MTV EMAs 2016” mbahet në Rotterdam të Holandës. Përveç prezantimit të shfaqjes, 27-vjeçarja është edhe e nominuar në kategoritë “Best New” dhe “Best Push”, të kushtuara që të dyja artistëve në rritje. Për këtë arsye edhe do të interpretojë “live” disa prej hiteve të saj më të njohura, siç është “In The Name Of Love”. Ja përse duhet t’i ndiqni “MTV EMA-s”, shkruan “Times Live”. Për prezantuese ka një yll si Bebe Rexha e do të ketë performanca nga Bruno Mars, Shawn Mendes, The Weeknd, Martin Garrix e Green Day. Bukur apo jo? Shumica dërrmuese e artikujve të shkruar për këtë ngjarje dhe drejtimin e tij nga Bebe theksojnë faktin që prindërit e saj janë shqiptarë, e sqarojnë madje se emri i saj i vërtetë është Bleta, ndërsa “Corriere della Sera” i referohet 27-vjeçares si këngëtarja me origjinë maqedonase. Më 9 shtator, Bebe performoi në Tiranë duke elektrizuar sheshin “Nënë Tereza” të kryeqytetit.