Teatri “Migjeni” shumë shpejt mund të ketë ndërhyrje sa i përket sistemit të ngrohjes. Kryetari i bashkisë Shkodër Benet Beci së bashku me ekipin e tij vlerësuan nga afër këtë problem që vijon prej vitesh në teatër sa i përket sistemit të ngrohjes e cila në pjesën më të madhe të kohës qoftë përgjatë provave apo edhe shfaqjeve mungon.

Kryebashkiaku Beci në një reagim t tij bën të ditur se kjo situatë është e paparanueshme që aktorët të zhvillojnë provat në të ftohtë apo gjatë premierave në dimër spektatorët të qëndrojnë po ashtu në të ftohtë. Sipas kreut të bashkisë kjo mund të zgjidhet përmes mbështetjes nga donatorë apo insituticione qëndrore. Ja se çfarë shkruan Beci në reagimin e tij:

“Një ekip profesionistësh, po bëjnë vlerësimin e problemeve teknike në sistemin e ngrohjes të teatrit ‘Migjeni’. E papranueshme që një institucion i të tilla niveleve të mos siguronte kushtet optimale për trupën e aktorëve por edhe spektatorin shkodran. Diskutuam nga afër me punonjësit e mirëmbajtjes edhe për ambjente të tjera të teatrit për të cilat shumë shpejt presim të kemi lajme të tjera të mira, ku përveç mbështetjes që po jep bashkia të kemi mbështetje nga donatorë dhe institucione qëndrore”, shkruan kryebashkiaku Beci.

Kjo çështje e sistemit të ngrohjes e cila mungon në teatrin “Migjeni” është diskutuar dhe kërkuar shpesh herë edhe nga drejtuesit e mëparshëm të këtij teatri por deri më tani nuk është realizuar. Në këtë mënyrë aktorët janë detyruar që të zhvillojnë provat në të ftohtë dhe në shfaqje po ashtu në sallë ka munguar ngrohja. Ndërkohë shpesh herë gjatë muajve të verës teatri nuk ka realizuar shfaqje për shkak të temperaturave të larta për shkak se mungon edhe kondicionimi. Është e paqartë se kur do të vijë kjo ndërhyrje për përmirësimin e këtyre kushteve në teatrin “Migjeni” por është mëse e nevojshme.

Artikulli paraprakLIDERËT E PARTIVE SHQIPTARE TË MAQEDONISË SË VERIUT TAKOHEN ME KURTIN NË PRISHTINË
Artikulli tjetërNUK DUKESH SHUMË E BINDUR NË DASHURI, ÇFARË THONË YJET PËR JU SOT