Në fjalën e tij gjatë prezantimit të buxhetit të bashkisë Shkodër të 2025, kryetari i bashkisë Benet Beci bëri të ditur se cilat janë më konkretisht 8 projektet strategjike për Shkodrën që mbështeten nga qeveria dhe partnerë ndërkombëtarë.

Kryebashkiaku Beci tregoi më në detaje disa prej projekteve kryesore infrastrukturore të cilat janë në zhvillim por edhe ata që pritet të fillojnë në një të ardhme të shpejtë.
Ndërkohë po me kaq rëndësi janë edhe projektet brenda në qytet si dhe disa investime të bllokuara prej vitesh që tashmë kanë marrë zgjidhje.

Pas miratimit të buxhetit me votat e mazhorancës socialiste dhe PSD, kryebashkiaku Beci reagoi në rrjetin social facebook duke e cilësuar si një vizion për rikthimin e Shkodrës në qendër rajonale.

“Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak bëra një prezantim shumë konkret të investimeve të përfunduara me sukses, atyre në proces dhe të planifikuara për të filluar në vitin 2025. Janë projekte që përmirësojnë shërbimet publike dhe cilësinë e jetës së çdo banori, si në lagjet qendrore dhe periferike të qytetit, ashtu edhe në fshatrat e bashkisë Shkodër, nga Velipoja deri në Dukagjin. Aktualisht, me një mbështetje të fortë nga Qeveria Shqiptare dhe donatorët ndërkombëtarë, janë në proces rreth 45 milionë euro investime në territorin e bashkisë sonë. Mirënjohës çdo këshilltari që ka zgjedhur t’i shërbejë Shkodrës duke votuar pro buxhetit të vitit 2025. Ky buxhet do të na mundësojë të shumëfishojmë kantieret e punës gjatë vitit të ardhshëm.

Ndiej keqardhje për skenat e pazakonta të disa prej këshilltarëve të opozitës, të cilët pamundësuan mbajtjen e një debati normal dhe demokratik rreth dokumentit më të rëndësishëm të bashkisë, buxhetit. Jam besimplotë se, për të mirën e Shkodrës, do të mundemi ta rigjejmë forcën për bashkëpunim përtej retorikave dhe ndasive politike. Për ne i rëndësishëm është forcimi i besimit të qytetarëve te Bashkia Shkodër, si dhe mbështetja ndaj vizionit tonë për rikthimin e Shkodrës si qendër rajonale. Do të vijojmë çdo ditë, hap pas hapi, me vullnet, këmbëngulje dhe dëshirë për realizimin e çdo projekti që na çon drejt një Shkodre më të mirë dhe të begatë për çdo qytetar, kudo që ai jeton në territorin tonë. Na u priftë e mbara”, përfundoi kryebashkiaku Beci.

Artikulli paraprakSHKODËR, I VODHËN NË RRUGË ÇANTËN ME PARA, ARRESTOHEN 2 SHTETAS
Artikulli tjetërKONCERTI I JAZZ-it TURK NË SHKODËR