Armando Sadiku gjatë këtyre ditëve pritet të transferohet te ish kampioni i Turqisë, Galatasaray.
Sulmuesi i Zuricut dhe Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku gjatë këtyre ditëve pritet të transferohet te ish kampioni i Turqisë, Galatasaray. Burime “Panorama Sport” bëjnë të ditur sulmuesi kuqezi ka arritur një marrëveshje me ekipin e famshëm turk dhe tashmë pritet vetëm konkretizimi i transferimit. Zurich kërkon të paktën 4 milionë euro nga shitja e Sadikut, në një kohë që pak ditë më parë presidenti i klubit zviceran ka deklaruar se sulmuesi vlen 9.5 milionë euro. Megjithatë, gazeta mëson se gjatë orëve të fundit ka pasur negociata të avancuara mes përfaqësuesve të dy klubeve dhe është gjetur gjuha e përbashkët. Sadiku ka munguar në seancat e ditëve të fundit stërvitore me Zurichun, pasi është nisur me urgjencë drejt Turqisë. Mendohet se sulmuesi ka kryer edhe testet mjekësore për t’i hapur rrugën transferimit. Nuk dihen ende detajet e kontratës, por gjithsesi në orët në vijim do të mësohet më shumë nëse do të realizohet ky kalim i bujshëm i sulmuesit të Kombëtares në klubin e madh turk.