Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada amerikane në Tiranë, me rastin e 247 vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve. Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për kontributin historik të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të kombit shqiptar.
“Angazhimi amerikan për integrimin euro – atlantik të Shqipërisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë mbetet vendimtar për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit tonë. Ky angazhim na detyron të jemi në lartësinë e investimit dhe të pritshmërive dhe ne jemi të kthjellët për rrugën që na duhet akoma të bëjmë në këtë drejtim,” – tha ndër të tjera Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit shprehu dhe njëherë gatishmërinë për përforcim e mëtejshëm dhe intensifikim e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat e posaçërisht ato ekonomike, si dhe në përballjen e sfidave që janë sa kombëtare e rajonale po aq dhe globale.
“Më lejoni të nënvizoj se ne e njohim rolin vendimtar që Shtetet e Bashkuara kanë për paqen në Ballkan e veçanërisht për Kosovën e lirë, të pavarur e të njohur botërisht. Ne e vlerësojmë, dhe nuk harrojmë. Në këtë kuptim ne i jemi pranë Shteteve të Bashkuara si partneri ynë strategjik, por dhe me vullnetin e përkushtimin për prosperitetin e të dy popujve tanë,” – tha më tej Presidenti Begaj.
Në fund të fjalës së tij, Presidenti rezervoi një falënderim të posaçëm ndaj Ambasadores Yuri Kim, që po mbaron misionin e saj diplomatik në Shqipëri, për kontributin e çmuar në vendin tonë dhe miqësinë që ka treguar ndaj Shqipërisë.
“Ju uroj shumë sukses në detyrën e rëndësishme që ju pret. Ju besoj e dini tashmë, por më lejoni t’ju rikujtoj se ne shqiptarët themi: Shtëpia është e Zotit dhe mikut! Uroj të gjeni kohë dhe pas përfundimit të misionit në Shqipëri, të kujtoni natyrën, miqtë e pse jo dhe politikën e institucionet tona, por mbi të gjitha të vini në shtëpinë tuaj.” – mbylli fjalën e tij Presidenti.