Presidenti i Republikës Bajram Begaj kthen në Parlament për rishqyrtim Ligjin për Shtetësinë
Sipas presidencës amendamentet nuk morën 84 vota siç parashikon Kushtetuta.
“Në analizë të Kushtetueshmërisë, shtesat dhe ndryshimet ligjore të përcjella për shpallje, janë pjesë e ligjit nr.77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020, “Për shtetësinë””, që sipas nenit 81, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, miratohet me shumicë të cilësuar prej 3/5 të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, minimalisht 84 vota.
Nga procesverbali i seancës plenare të datës 21.9.2023 dhe të dhënave të votimit elektronik konstatohet se miratimi i amendamentit të dytë është bërë me 78 vota, i amendamentit të tretë me 77 vota, i amendamentit të katërt me 78 vota dhe i amendamentit të pestë me 79 vota.
Për një ligj për të cilin Kushtetuta ka parashikuar miratimin me shumicë të cilësuar, konkretisht 84 vota, këto amendamente nuk e kanë marrë numrin e kërkuar të votave dhe nuk mund të quhen të miratuara” thuhet në arsyetimin e presidencës.