Zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës si dhe bashkëpunimi i mëtejshëm në fushën e mbrojtjes, si dhe sigurisë kibernetike janë diskutuar mes presidentit të Republikës, Bajram Begaj dhe Shefit të Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së Gjeneralin Daniel R. Hokanson në takimin që u mbajt sot pasdite në presidencë.
Gjenerali Daniel R. Hokanson u shoqërua edhe nga Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim. Presidenti Begaj diskutoi së bashku me gjeneralin Hokanson edhe mbi bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën e mbrojtjes, si dhe sigurisë kibernetike. Së bashku me Gjeneralin Hokanson, Presidenti Begaj foli edhe për zhvillimet në rajon, ku u ndal në veçanti te zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës.
Gjatë takimit Presidenti vlerësoi bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilët prej dekadash kanë ndihmuar në modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë sot ambasadorja Yuri Kim takoi drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shqiptar Vlora Hyseni ku theksoi bashkëpunimin në fushën e sigurisë kombëtare por dhe të inteligjencës.