Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili mori pjesë në Samitin e parë BE-Ballkani Perëndimor që zhvillohet jashtë hapësirës së Unionit. Kryeministri Mitsotakis shoqërohej në këtë takim nga Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Niko Dendias. Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe partneritetin strategjik midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia dhe populli grek i kanë dhënë shqiptarëve në momentet e vështira pas ndryshimeve demokratike, por edhe në kuadër të përballimit të fatkeqësive të ndryshme natyrore.

Duke iu referuar fqinjësisë së mirë dhe vlerave e sfidave të përbashkëta, Kreu i Shtetit e konsideroi praninë e minoritetit grek në Shqipëri dhe të komunitetit shqiptar në Greqi si një vlerë të shtuar për këto marrëdhënie. “Ato përbëjnë një urë të fortë, të vërtetë e të sinqertë miqësie e bashkëpunimi, për të cilën ne jemi të gatshëm ta forcojmë e promovojmë më tej”, u shpreh Presidenti Begaj. Kreu i Shtetit vlerësoi frymën e mirëkuptimit dhe mirëbesimit në dialogun midis dy qeverive, si në nivel politik ashtu dhe në nivel ekspertësh. “Ju siguroj se çdo çështje e vjetër ose e re do të trajtohet me seriozitetin maksimal, sipas normave të fqinjësisë së mirë dhe parimeve të reciprocitetit dhe në respekt të Kushtetutës, Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, të drejtës ndërkombëtare dhe si vende aleate të NATO-s”, theksoi Presidenti Begaj. Kreu i Shtetit vlerësoi edhe frymën e re të bashkëpunimit të Qeverisë dhe autoriteteve greke me Kosovën dhe nënvizoi se “Kosova është një realitet politik dhe njohja e pavarësisë së saj do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Dua të mbroj interesin e shqiptarëve kudo që ata ndodhen”, u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti Begaj dhe Kryeministri Mitsotakis e vunë theksin edhe tek bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve dhe mundësitë e investimeve të kapitalit grek në fusha të ndryshme të ekonomisë.

Artikulli paraprakKATAR 2022/ PORTUGALIA ‘ÇMONTON’ ZVICRËN DHE GJEN MAROKUN NË ÇEREKFINALE
Artikulli tjetërZBULOHET SEKRETI I RRESHTIMIT TË PËRSOSUR TË PIRAMIDAVE EGJIPTIANE