Sfida ndaj Izraelit ishte shansi i fundit për të kapur kreun e grupit në Ligën e Kombeve, ishte dhe një test i fortë edhe për trajnerin Edy Reja, por asgjë nuk ndryshoi as këtë herë, përkundrazi gabimet janë fotokopje, përfundimi është i njëjtë. Tekniku italian vijon të besojë se ky nuk është fundi, në këndvështrimin e tij ekipi do ende kohë për të përmirësuar ato gabime që vijojnë të përsëriten në mënyrë konstante:
“Skuadra dha shpirtin për të fituar, por u ndëshkuam sërish nga gabimet individuale. Janë të njëjtat gabime që na kanë ndëshkuar vazhdimisht dhe që i bëmë edhe Izraelit. Si gjithmonë, e komplikojmë vetë ndeshjen dhe dhuruam të dy golat. Po shpresonim për një barazim, që do të ishte një rezultat i mirë, megjithatë nuk kemi kthjelltësinë për të zgjidhur mirë situatat në momente të caktuara. Flasim gjithmonë për të njëjtat gjëra, për të njëjtat gabime, por vazhdojmë t’i përsëritim. Gjithsesi tani duhet të shohim përpara dhe të kërkojmë fitoren ndaj Islandës. Kemi edhe ndeshjet miqësore, por të provuar diçka ndryshe”.
Në konferencën pas ndeshjes, Reja lëshoi dhe një mesazh të qartë për Armando Brojën, talentin kuqezi tek i cili të gjithë presim diçka më shumë:
“Nuk është ende gati dhe duhet të rritet. Ka filluar të rritet dhe të përmirësohet, por është vetëm 21 vjeç dhe ka nevojë të piqet. Po e aktivizoj edhe më shumë, për t’i bërë të kuptojë se nuk është e lehtë të jesh titullar. Duhet të jetë më vendimtar, por ka aftësitë e duhura për të krijuar raste goli nga momenti në moment”.
Edy Reja ka një kontratë me FSHF deri në nëntor, por pas sfidës ndaj Islandës palët priten të ulen në një tavolinë për të diskutuar të ardhmen.