Pas golit të shënuar javën e kaluar në ndeshjen e dytë të kampionatit kroat, Bekim Balaj ka realizuar edhe dy të tillë me Rijekën. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare po tregon edhe njëherë formën e mirë. Në transfertë përballë NK Zagreb, shkodrani ka shënuar golin e parë të ndeshjes në minutën e 23-të. Por pas dy minutash vendësit barazojnë. Megjithatë, Balaj në minutën e 32-të shënon sërish, por gjithashtu NK Zagreb përgjigjet përsëri, teksa në minutën e 34-t barazon në 2-2.

Në pjesën e dytë vendësit shkojnë në 3-2, por më pas Rijeka arrin të barazojë shifrat në 3-3, që është edhe rezultati final. Bekim Balaj është aktivizuar për 90 minuta, duke u paraqitur mjaft mirë. Tre gola në tri ndeshje të kampionatit janë një nisje mjaft e mirë për sulmuesin kuqezi, që këtë sezon ka premtuar se do të shënojë deri në 20 gola. Odise Roshi ka qenë në stol, por kësaj radhe nuk i është mundësia të luajë. Por nëse Balaj ka arritur të jetë mirë personalisht, ekipi i tij, Rijeka, ka shkuar në krahun e kundërt. Është eliminuar që në turin e dytë të Europa League, ndërsa në kampionat ka 3 barazime, pra vetëm 3 pikë, shumë pak si nënkampionia në fuqi e Kroacisë. Në përgjithësi, sulmuesit kuqezinj e kanë nisur mirë këtë sezon. Balaj ka shënuar 3 gola, Gashi shënoi me Bazelin, por edhe Sadiku realizoi sot për Zyrihun, po në kampionatin zvicerian. Ndërsa sulmuesi tjetër kryesor i Kombëtares shqiptare, Cikalleshi, ka shënuar 2 gola në dy miqësoret e zhvilluara me ekipin e tij në Turqi. Një formë e mirë e goleadorëve shqiptarë, çka i jep garanci trajnerit De Biazi për ndeshjet e fundit eliminatore të “Euro 2016”.

Artikulli paraprakZBARDHET KALENDARI, SHQIPËRIA NDESHJEN E PARË ME MAQEDONINË
Artikulli tjetërKONSTITUOHET KËSHILLI I BASHKISË MALËSI E MADHE