Dy persona janë arrestuar për vjedhje bagëtish në Lezhë dhe në Shijak. Të arrestuarit në kuadër të operacionit të koduar “Kasapi” janë A.N. 32 vjeç, banues në Kurbin dhe E.L. 38 vjeç, banues në Paskuqan. Nga operacioni u sekuestrua edhe një mjet fugon që shërbente për transportimin e bagëtive të vjedhura.

Sipas policisë, nga hetimet ka rezultuar se 32 vjeçari me inicialet A.N. dyshohet se në harkun kohor prill – korrik 2019 ka kryer 7 vjedhje, konkretisht në fshatin Barbullojë, Tale e Baqel në Lezhë dhe në Karpen, Fllakë, Shijak e Maminas. Ai ka vjedhur gjithsej 11 krerë bagëti të trasha, vjedhje këto të dokumentuara në mënyrë ligjore. Furgoni i sekuestruar ishte marrë me qira nga 32 vjeçari dhe përdorej për trasnportin e bagëtive.

Ndërsa arrestimi në flagrancë i 38 vjeçarit me inicialet E.L. u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në stallën e tij në Paskuqan, ku iu gjetën tre krerë bagëti të trasha të vjedhura në Tale, Lezhë dhe në Maminas. Ky fenomen është kthyer në shqetësues në disa zona të vendit, ndërsa dje humbi jetën një person në Divjakë, teksa ishte në ndjekje të hajdutëve që i kishin vjedhur bagëtitë.

Artikulli paraprakTRUMP: NUK JAM RACIST!
Artikulli tjetërASAMBLEJA KOMBËTARE E PS NË 23 KORRIK