Nuk ka asnjë përpjekje për të shkrirë Orkestrën Simfonike të Shkodrës. E kundërta është e vërtetë.
Gjatë kësaj periudhe jemi përpjekur të krijojmë kushte më të mira pune e shpërblimi. Orkestra ka sot honorare mujore të rritura ndjeshëm e buxhet vjetor të shumëfishuar, një set të ri instrumentesh, pa patur nevojë t’i marrë borxh duke i fshehur nën pagesa fiktive.
Ka një ndryshim në pozicionin e dirigjentit të orkestrës, z.Jetmir Barbullushi, në përfundim të kontratës. Maestron e falënderojmë për kontributin e dhënë e padyshim do të vijojë të jetë pjesë e veprimtarive artistike që do të organizojmë. Në cilësinë e drejtuesit të orkestrës është pasuar nga znj. Elda Laro, dirigjente e pianiste me një karrierë mbresëlënëse ndërkombëtare. Ajo ka pasur disa përvoja shumë të mira edhe në qytetin tonë gjatë kësaj periudhe (Ndërmendje, 2022, Koncerti i Rame Lahaj, 2024) e tashmë po kthehet të kontribuojë në qytetin e saj të lindjes për realizimin e programit artistik të kësaj orekstre.
Duke patur parasysh fluksin e kërkesave dhe komunitetin e gjerë artistik në Shkodër, ankesat e vazhdueshme për favorizime e përjashtime të instrumentistëve (shpeshherë edhe me arsye banale të tipit ” o ai o unë”) apo mungesat e vazhdueshme të tyre (duke vijuar me stilin ” s’ka gjë mos eja se firmos unë për ty në listën e prezencës”) është bërë audicion për pozicionet e orkestrës. Audicioni është bazuar plotësisht mbi meritat artistike të instrumentistëve. Nuk marrim përsipër në asnjë rast të sqarojmë akuzat për diskriminime politike. Kush ka ardhur në Shkodër pas qershorit 2023 e di mirë se kjo nuk ka asnjë bazë, në asnjë rast.
Ndërsa mund ta kuptojmë deri diku reagimin emocional të z.Barbullushi, shprehim keqardhjen që e lejoi veten të përdoret politikisht nga i njëjti grup njerëzish, që siç mund ta mbani mend para një viti mbushën Shkodrën e gjithë Shqipërinë me fantazitë për shkrirjen e Teatrit “Migjeni”.
Sezonin që lamë pas ky institucion, me bashkëpunime me regjisorë të huaj e vendas, vlerësime e mirëpritje të një sërë shfaqjeve dhe pati rekord vizitorësh në Festivalin Mbarëkombëtar të Humorit të rishkthyer pas më shumë se 30 viteshe. Sot në Teatër kemi filluar punën për kushte normale për aktorët dhe kushte njerëzore për spektatoret, nëpërmjet projektit të filluar për ngrohje- ftohje të ndërtesës dhe së shpejti edhe rimobilimin e rikonstruksionin e plotë të brendshëm. Ashtu siç kthyem Kinema Republikën nga piceri në institucion publik, e për të cilën gjithashtu do të investohet plotësisht për ta bërë qendër dinjitoze e moderne, ashtu po përpiqemi ta vëmë Orkestrën në funksion real, me program të miratuar, me buxhete të përcaktuara qartësisht, me instrumentistë që e meritojnë profesionalisht, e në rastet kur nuk do t’i përmbushim dot, me të ftuar që “hyjnë nga dera”, jo fshehurazi në orkestër.
Ne thjesht duam ta bëjmë më të mirë, më dinjitoze, më institucionale Orkestrën e qytetit tonë. Me një komunitet kaq të pasur artistësh kemi luksin të bëjmë audicione për të zgjedhur më të mirët, për të ftuar më të mirët.
Falënderues për të gjithë që e kanë mbajtur gjallë ndër vite, për ata që na përkrahin sot a që na kritikojnë objektivisht, për ata që sugjerojnë e ata që do të vijojnë të ndjekin programin artistik të Orkestrës Simfonike në vitet në vijim.
Jemi këtu për ta çuar përpara çdo përpjekje në të mirë të kulturës, traditës e standardit evropian që Shkodra ia ka mësuar historikisht Shqipërisë e jo vetëm.
Na shkoftë mbarë!

Artikulli paraprakKEQTRAJTONTE NJË TË MITUR, PROCEDOHET PENALISHT 44 VJEÇARI
Artikulli tjetërEMIGRANTËT/ VON DER LEYEN, E HAPUR PËR MODELIN E MARRËVESHJES SI ME SHQIPËRINË!